Tmerret e fshehura në shtëpitë e të moshuarve në Shkup – pronaret i rrihnin dhe ushqenin me produkte të skaduara
Ministria e Punëve të Brendshme ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike Shkup ndaj dy personave nga Shkupi, N.J. (47) dhe T.I. (58), për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprat penale “keqpërdorim i vazhdueshëm i pozitës zyrtare dhe autorizimeve” dhe “keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës”.
Sipas MPB-së, gjatë dy ditëve të fundit janë siguruar dëshmi që tregojnë se të dyshuarat, si pronare dhe persona të autorizuara të dy institucioneve private për kujdesin social të personave të moshuar në Shkup, kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin për mbrojtje sociale. Ato dyshohet se kanë përfituar në mënyrë të paligjshme përfitime materiale duke shkelur të drejtat e të moshuarve të sistemuar në këto institucione.
Hetimet kanë treguar se nga viti 2022 e deri më sot, të dy institucionet kanë pranuar më shumë persona sesa lejohej me licencë, nuk kanë mbajtur dokumentacion të rregullt për përdoruesit e shërbimeve, nuk kanë pasur staf të kualifikuar dhe të mjaftueshëm, dhe kanë punësuar persona pa dokumentacion ligjor. Po ashtu, nuk kanë siguruar ushqim sipas standardeve – në disa raste janë shërbyer produkte me afat të skaduar. Për këto kushte, familjarët e rezidentëve kanë paguar shuma të konsiderueshme, ndërsa të ardhurat mujore të dy objekteve arrinin mbi 2.232.000 denarë.
Gjatë kontrolleve në objektet e vendosura në rrugën “Rudo” në komunën e Butelit dhe në rrugën “Kozara” në Qendër, është konstatuar se të dyja të dyshuarat kanë ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj rezidentëve, duke i ekspozuar ata në trajtim çnjerëzor dhe poshtërues. Në shtëpinë në Butel ishin sistemuar 27 persona, megjithëse lejohej vetëm për 21, ndërsa në atë të Qendrës – 33 persona, edhe pse licenca lejonte vetëm 17.
Në kundërshtim me rregullat, në dhomat ishin vendosur bashkë gra dhe burra, disa të moshuar flinin në divane apo ndanin të njëjtin shtrat, dhe disa mbaheshin të mbyllur në dhoma të veçanta. Gjithashtu, një pjesë e rezidentëve merrnin terapi mjekësore pa përshkrim të mjekut.
Me urdhër të prokurorit publik, të gjithë të moshuarit iu nënshtruan ekzaminimeve mjekësore dhe analizave nga Instituti i Mjekësisë Ligjore. Të dy institucionet janë mbyllur, ndërsa për personat e sistemuar është siguruar strehim i ri dhe kujdes adekuat në koordinim me organet shtetërore kompetente. Gazeta Flaka


















