Uji i ambalazhuar, jo gjithmonë më i pastër se ai i rubinetit
Mosbesimi ndaj ujit të rubinetit ka bërë që uji i ambalazhuar të kthehet në një produkt global, edhe në vende ku furnizimet publike kontrollohen rreptësisht. Marketingu shpesh e paraqet si më të pastër dhe më të shëndetshëm, por studimet e fundit tregojnë se kjo nuk është gjithmonë e vërtetë.
Studime të vitit 2025 kanë zbuluar nivele të larta ndotjeje bakteriale në bidonë të rimbushshëm dhe shishe plastike. Për më tepër, disa produkte përmbajnë dhjetëra mijëra grimca mikroplastike për litër, të lidhura me inflamacion dhe çrregullime hormonale. Plastika e shisheve mund të lëshojë substanca si antimon, ftalate dhe bisfenole, sidomos kur ekspozohet ndaj nxehtësisë, duke rritur rrezikun për shëndetin.
Nga ana tjetër, uji i rubinetit shpesh përmban minerale të dobishme dhe në disa vende edhe fluor për parandalimin e kariesit. Kontrollohet çdo ditë për baktere, metale të rënda dhe pesticide, ndërsa prodhuesit e ujit në shishe testohen më rrallë.
Ndikimi mjedisor është i madh: çdo minutë blihen rreth një milion shishe plastike. Prodhimi i një litri uji të ambalazhuar kërkon deri në 2000 herë më shumë energji se furnizimi i një litri uji të rubinetit dhe gjeneron rreth 80 gramë CO₂.
Zgjidhjet alternative si Solar2Water, që prodhon ujë të pijshëm nga ajri me energji diellore, po shihen si mënyra për të ulur varësinë nga plastika dhe për të përmirësuar aksesin në ujë të sigurt.
Flaka
















