Përurohet bulevardi i ri në Tetovë, lidhje e re strategjike për qytetin dhe rrethinën

Dje u përurua zyrtarisht bulevardi i ri në Tetovë, i njohur si projekti “Aeroporti”, i cili përfaqëson një arterie të rëndësishme lidhëse ndërmjet qytetit dhe disa fshatrave përreth. Hapja e këtij bulevardi pritet të lehtësojë ndjeshëm komunikacionin në një nga zonat më të ngarkuara të qytetit.
Me këtë rast, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, reagoi përmes një postimi në Facebook, duke hedhur poshtë kritikat dhe dyshimet që ishin shprehur gjatë realizimit të projektit. “Ne kemi dëshmuar se e duam Tetovën çdo ditë, jo vetëm gjatë fushatës. Banorët e Porojit, Xhepçishtit dhe komunës së Tearcës sot janë më afër Tetovës se kurrë më parë”, shkroi Kasami, duke shtuar se projekti “Aeroporti” është vetëm një nga investimet madhore që po realizohen në qytet.
Bulevardi, i cili është pjesë e vazhdimit të rrugës “Vidoe Smileski Bato” (Industrial), ishte nisur në prill, kur edhe mori emërtimin simbolik “Aeroporti” i Tetovës. Në fazat fillestare, rruga përfundonte në një qorrsokak, përkatësisht në një zonë fushore, ndërsa punimet për vazhdimin e saj nga pjesa e Kazermës së qytetit nisën më 16 korrik 2023, duke u shtrirë në rreth 700 metra.
Hapja e bulevardit “Industrial”, së bashku me bulevardet “Ilinden” dhe “Bllagoja Toska”, përbën gjithashtu një nga projektet e parashikuara në Programin Zgjedhor 2021–2025 të kryetarit aktual të Komunës së Tetovës, duke synuar përmirësimin e infrastrukturës rrugore dhe lidhjen më të mirë të qytetit me zonat përreth. Gazeta Flaka






















