Orientimi i qartë pro-evropian dhe ruajtja e partneriteteve strategjike

Shkruan Sefer Selimi
Nëse qeveria e bllokon perspektivën evropiane, atëherë ne duhet ta bllokojmë shtetin.
Integrimi në Bashkimin Evropian është prioriteti kyç i politikës së jashtme të Maqedonisë së Veriut. Si i tillë, ai nuk guxon të reduktohet në një opsion të kushtëzuar nga vullneti i një partie, një qeverie apo një kryeministri të vetëm. Perspektiva evropiane është interes strategjik shtetëror, dhe pyka ku shumica dërmuese e të gjithë qytetarëve bashkohen duke tejkaluar çdo ndasi.
Qeveria aktuale nuk tregon gatishmëri për të investuar kapital politik në zhbllokimin e negociatave me BE-në. Përkundrazi, ajo prodhon vazhdimisht arsyetime për të shmangur obligimin për ndryshimin e Kushtetutës dhe përfshirjen e bullgarëve në preambulë. Kjo mungesë vullnetit politik e lë vendin pa persoektivë të qartë evropiane dhe krijon një vakum strategjik.
Ky vakum nuk mbetet bosh. Ai mbushet nga projekte alternative dhe ideologji regresive, si “Bota serbe”, si dhe nga aleanca me aktorë anti-evropianë brenda vetë BE-së, përfshirë Viktor Orbán, i cili në mënyrë aktive ushqen euroskepticizmin në rajon dhe përmes ndikimit politik, edhe në Maqedoninë e Veriut.
Në këto rrethana, partitë politike shqiptare si në pushtet ashtu edhe në opozitë, së bashku me të gjitha forcat progresive të shoqërisë kanë përgjegjësi politike dhe morale që ta bllokojnë funksionimin normal të shtetit për aq kohë sa shteti vazhdon ta bllokojë rrugën drejt BE-së.
Ndërkohë që Shqipëria dhe Mali i Zi kanë objektiva të qarta dhe afate të përcaktuara për anëtarësim, ne mbetemi peng i një kuazi-patriotizmi nacionalist që përpiqet të na bindë se Bashkimi Evropian është i padrejtë, armiqësor ose i panevojshëm. Ky narrativ nuk është spontan, është në funksion të strategjisë për të mundësuar shmangijen e reformave strukturore që kërkohen nga BE, e të cilat reforma nuk iu përshtaten disa aktorëve të brendshmëm dhe të jashtëm për të ruajtur monopolet e përfitimit dhe ndikimit.
Prandaj, bllokimi i shtetit nuk është qëllim në vetvete. Ai është mjet presioni legjitim për të çliruar rrugën e integrimit evropian. Nëse pushteti e mban peng të ardhmen evropiane të vendit, atëherë përgjigjja duhet të jetë e qartë, e koordinuar dhe pa ekuivok: bllokoni shtetin për të zhbllokuar evropianizimin e Maqedonisë së Veriut.


















