Valbon Limani: Kandidimi i Nevzat Bejtës ka ngjallur edhe më shumë zërat kundër tij

Kandidati për kryetar komune në Gostivar nga radhët e Aleancës Kombëtare për Integrim (AKI), Valbon Limani, në emisionin OnTime në TV Koha, ka folur për zhvillimet politike në prag të zgjedhjeve të përsëritura lokale të 11 janarit, si dhe për kandidimin e kundërkandidatit të tij, Nevzat Bejta.
I pyetur nëse ndihet i rrezikuar nga kandidimi i Nevzat Bejtës, Limani u shpreh se kjo kandidaturë nuk e ka dobësuar pozicionin e tij, përkundrazi.
“Kandidimi i Nevzat Bejtës ka ngjallur edhe më shumë zërat kundër tij,” deklaroi Limani, duke shtuar se e falënderon hapur atë që e kanë propozuar Bejtën për këtë garë.
“E falënderoj atë që e kanë propozuar, sepse Nevzat Bejta kandidon për herë të gjashtë dhe ka humbur pesë herë,” tha Limani gjatë emisionit me gazetarin Besian Leka.
Duke folur për zgjedhjet e përsëritura në Gostivar, Limani i cilësoi ato si një padrejtësi të rëndë ndaj qytetarëve dhe institucionit komunal.
“Zgjedhjet e përsëritura në Gostivar janë një padrejtësi, e cila do të rivendoset sërish më 11 janar,” theksoi ai.
Sipas Limanit, mosarritja e censusit nuk ishte rastësi, por një proces i qëllimshëm.
“Mosarritja e censusit ishte një inxhiniering i përgatitur për të dëmtuar Gostivarin dhe qytetarët e saj, por këtë padrejtësi do ta rivendosim më 11 janar,” u shpreh ai.
Në fund të intervistës, Limani nuk pranoi të flasë apo të parashikojë rezultat konkret zgjedhor, duke theksuar se vendimi u takon qytetarëve.
“Nuk dua të flas për numra, sepse ai është vullneti i qytetarëve të Gostivarit. Ata do ta zgjedhin më të mirën për Gostivarin përmes votës së tyre më 11 janar,” deklaroi Limani.
Megjithatë, ai shprehu bindjen për një fitore të thellë.
“Ne besojmë në një fitore bindëse dhe të thellë, një rikonfirmim i vullnetit të qytetarëve të mi të Gostivarit,” përfundoi Limani. Gazeta Flaka


















