Reshjet e dendura shkaktojnë përmbytje dhe evakuime në disa rajone të vendit

Reshjet e dendura të shiut që përfshinë vendin kanë shkaktuar përmbytje, rrëshqitje dheu dhe vështirësi në qarkullim në disa rajone. Qendra për Menaxhimin e Krizave njofton se situata po monitorohet vazhdimisht, ndërsa ekipet janë në terren për të intervenuar aty ku ka nevojë, transmeton Gazeta Flaka
Drejtori i Qendrës për Menaxhimin e Krizave (QMK), z. Muhamed Ali, së bashku me ekipet kujdestare në numrin 112 dhe Sektorin e Operacioneve, po e ndjekin vazhdimisht gjendjen në terren pas reshjeve të dendura që përfshinë vendin.
Në aksin rrugor Gostivar – Strazhë ka rrëshqitje dheu, por qarkullimi zhvillohet normalisht, ndërsa në relacin Tetovë – Banjicë rrëshqitjet përgjatë rrugës e vështirësojnë lëvizjen. Në fshatin Balindoll ka dalë nga shtrati lumi Vardar, duke përmbytur dhjetë parcela bujqësore dhe disa oborre, si dhe është vërejtur ulje e prodhimit në HEC “Mavrovo”.
Në fshatrat Turçanë e Vogël dhe Banjicë e Sipërme kanë dalë nga shtrati lumenjtë në Llakavicë dhe Sushicë, me përmbytje të tokës bujqësore, ndërsa komuna përballet me mungesë të mekanizimit përkatës.
Në Forinë është vërejtur një pemë e rrëzuar në shtratin e Vardarit, me rrezik potencial për përmbytje, dhe një ekip me sharrë motorike tashmë ka ndërhyrë. Përmbytje janë raportuar edhe në Manastir dhe rrethinë, veçanërisht në fshatrat Lerë dhe Porodin, ku është prekur edhe një fermë shpendësh. Në Komunën e Resnjës, disa fshatra raportojnë oborre dhe sipërfaqe bujqësore të përmbytura, pa dalje të lumenjve nga shtrati.
Në Kërçovë, për shkak të përmbytjes së objekteve banesore në rrugën “Prilepska”, janë evakuuar 60 persona, të cilët janë strehuar në sallën sportive “Hristo Uzunov”. Përmbytje janë regjistruar edhe në Ohër, ku janë përfshirë bodrume, garazhe dhe oborre. Të gjitha institucionet kompetente janë në terren dhe po punojnë aktivisht për sanimin e gjendjes.
Në disa zona janë përmbytur toka bujqësore dhe oborre, në Kërçovë janë evakuuar dhjetëra persona, ndërsa autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve që çdo problem ta raportojnë në numrin 112, përcjell Gazeta Flaka.


















