Pse Mitsotaqis duhet ta pranojë dorën e shtrirë të Ramës!

Flaka
Botuar nga Flaka 26 Prill, 2024 20:38

Pse Mitsotaqis duhet ta pranojë dorën e shtrirë të Ramës!

Nga Dritan Hila

Po bëhet gati një vit që Greqia nuk e pranon dorën e shtrirë të Ramës, me gjithë insistimin e tij. Mbase fodullëku grek vjen nga kohë të shkuara ose mbase Micotaqisit vazhdojnë i paraqesin shifra të droguara si qëmoti, por puna është se kohët kanë ndryshuar. Këtë nuk e kuptojnë as disa politikanë apo gazetarë të Tiranës që akoma mendojnë se Greqia bën Diellin dhe Hënën në Tiranë, sikur 10 vite e kusur më parë.

Greqia tashmë është një kufomë ekonomike dhe historia kur i ishte caktuar nga BE pozicioni i kujdestarit të Ballkanit ka perënduar. Ekonomia është tregues dhe shifrat janë kokëforta.

Tashmë Greqia ka të ardhura për frymë 21.066 €. E kanë kaluar shumica e shteteve të ish-bllokut lindor: Çekia, Polonia, Letonia, Lituania, Estonia, Hungaria, Sllovenia. Iku koha kur polakët emigronin për të punuar pllakaxhi dhe hidraulikë në Greqi. Ka mbrapa me fare pak diferencë Rumaninë, Bullgarinë dhe Kroacinë. Rumania ka shkuar tek 18.000€/frymë. Për 3-5 vjet Greqia ngelet rishtas e fundit në BE duke konkurruar për vendin e fundit me Portugalinë.

Shoqëria greke është ekstremisht mediokre. Universitetet dhe institutet greke nuk depozitojnë asnjë patentë. 58.000 mijë në vit depoziton Gjermania.

Prodhimi bruto i Greqisë në vitin 2007 në prag të krizës rezultonte 355 miliardë USD për të rënë çuditërisht në 193 miliardë USD kur llogaritë nisën t’jua mbajnë gjermanët. Ç’ka tregonte falsifikimin e tmerrshëm që kishin bërë për të hyrë në zonën euro dhe vjelë paratë e BE. Sot prodhimi bruto i saj është në nivelin e 219 miliardë USD dhe as në vitin 2028 nuk do ia dalin të kapin volumin e xhiros të Volkswagenit që bën 322 miliardë € në vit.

Ndërkohë borxhi i jashtëm i Greqisë është 370 miliard € dhe në vitin 2028 pritet të shkojë 386 miliardë € ose 134% e GDP. Kjo është e pranueshme për shoqëritë industriale si Japonia, Italia apo SHBA, por jo për një vend që eksporton vetëm ullinj dhe djathë feta. Meqë citova eksportet, Greqia eksporton 50 miliardë €. Kaq është xhiroja e markës Volvo të Suedisë, vend që ka një popullsi të njëjtë me Greqinë. Ndërkohë importon 80 miliardë €. Ato 25 miliardë që fiton nga turizmi, i lë në deficitin eksport import.

Edhe në eksportet e fruta-perimeve Greqia po lihet pas nga Izraeli, Spanja dhe Italia e jugut.

Shifrat janë kokëforta dhe perëndimi i Greqisë është i dukshëm.

Sa i takon Shqipërisë, e vërteta është që ndodhet ende pas Greqisë, por shqiptarët kanë si pikë të fortë emigracionin agresiv. Dikur, Aristotle Onassis, apo sot Stelios Haji-Ioannou, pronar i EasyJet janë emra grekë, ndërsa sot emigracioni masiv është ndaluar tek pikat e sufllaqeve dhe tavernave. Ndërkohë në perëndim emigracioni shqiptar është më kapilar dhe i hapur në fushat e bareve, restoranteve, ndërtimit, pa harruar edhe botën e nëndheshme ku elementi shqiptar është bërë konkurrente e simotrave italiane. Dhe kjo është një para që konkurron GDP-në e Shqipërisë.

Këto mbase nuk i di Micotaqis, por mesa duket Rama i di. Kjo e bën që të mos lëkundet nga pozicioni i tij për bllokimin e ndërhyrjes në punët e brendshme të Greqisë në Shqipëri, por i shtrin dorën e partneritetit. Sa më shpejt ta kuptojnë grekët që në veri kanë një partner, aq më mirë është. Koha e vasalitetit ka marrë fund.

Flaka
Botuar nga Flaka 26 Prill, 2024 20:38
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Marrja e paautorizuar e teksteve dhe videove me të drejtë autoriale ose ndonjë përmbajtje të ngjashme pa pëlqimin paraprak me shkrim të Flaka Media do të konsiderohet shkelje e të drejtave autoriale dhe për këtë Flaka e ruan të drejtën të kërkojë kompensim përkatës monetar.Mosrespektimi dhe abuzimi i të drejtave autoriale dhe të drejtave simotër dënohet me ligj.Çdo marrje e paautorizuar, shfrytëzim, përdorim apo publikim i tekstit, fotografitë ose videot apo çfarëdo përmbajtje tjetër e ngjashme që paraqet pronësi të Flaka Media, pa pëlqim paraprak me shkrim nga redaksua, ndalohet rreptësisht dhe për të njëjtën paguhet kompensim përkatës financiar, për çka pronari ka të drejtë të nis procedurë përkatëse.Në rast të marrjes së teksteve autoriale dhe videove apo çfarëdo përmbajtje tjetër, në mënyrë të obligueshme nevojitet pëlqim paraprak nga Flaka Media dhe vendosje të linkut që do të çojë deri në web faqen e Flaka Media.