Besimtarët ortodoksë e festojnë Ujin e Bekuar, regjim i veçantë i komunikacionit në Shkup
Besimtarët ortodoksë sot e festojnë Epifaninë e cila shënohet që nga shekulli i dytë. Në këtë ditë, sipas traditës krishtere, Shën Jovani pagëzuesi e ka pagëzuar Jezu Krishtin në lumin Jordan. Festa quhet edhe Uji i bekuar për shkak të shërbimit të madh në ujë që kisha e kryen në këtë ditë.
Edhe këtë vit do të vazhdojë tradita shekullore e hedhjes së kryqit në ujërat e bekuar. Dioqeza ortodokse e Shkupit pranë KOM-AO do ta organizojë bekimin tradicional të ujërave në lumin Vardar dhe aktin e hedhjes së kryqit.
Siç deklaruan për MIA-n nga Dioqeza e Shkupit, këtë vit janë paraqitur mbi 200 qytetarë të cilët do të tentojnë ta kapin kryqin që do të hidhet në lumin Vardar.
Sakaq, Sektori i Punëve të Brendshme në Shkup ka njoftuar se sot, e diel, 19 janar 2025 do të ketë regjim të veçantë të komunikacionit në Shkup për shkak të festës fetare – Ujit të Bekuar, ku hedhet kryqi në lumin Vardar, transmeton TV21.
Regjimi i veçantë i komunikacionit do të zhvillohet në komunat si Gjorçe Petrov, Kisella Vodë dhe Aerodrom.
Në Shkup, e mbyllur për qarkullim do të jetë rruga “Filipi i Dytë i Maqedonisë” në drejtim të udhëkryqit me bulevardin “Goce Dellçev” deri te udhëkryqi me rrugën “11 Tetori” në dy drejtimet.
Në komunën e Kisella Vodës për qarkullim do të mbyllen rrugët “14 Dhjetori” dhe një pjesë e rrugëve “Hristo Tatarçev” dhe salla “Rasadnik”.
Në komunën e Gjorçe Petrovit për qarkullim do të mbyllen rrugët nga kisha “Shën Petari dhe Pavlle”, bulevardi “Aradhet Partizane” deri te rruga “Gjorçe Petrov”, më pas rruga “Gjorçe Petrov” deri te rruga “Vasill Çakarallov” si dhe deri te kisha “Shën Pantelemon”, rruga “Kozlle” dhe një pjesë e rrugës “Vasill Çakallarov” deri te ura hekurudhore në lumin Vardar.