Dorëheqja e Kryeministrit pas protestave masive, Vuçiç: Jam i hapur për zgjedhje dhe qeveri të re!
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka thënë të martën se do t’i nisë menjëherë konsultimet me partitë politike për të biseduar nëse do të formohet një qeveri e re brenda 30 ditësh, siç e parasheh ligji, apo do të shpallen zgjedhjet e reja, pas dorëheqjes së Millosh Vuçeviçit nga pozita e kryeministrit të vendit.
“Jam i hapur për të dyja opsionet. Mund të kemi zgjedhje pas 75 ditësh, muaji prill është më i mundshmi. Nuk do të ketë qeveri të përkohshme”, ka thënë ai, duke shtuar se detyra kryesore e autoriteteve tani është ruajtja e stabilitetit.
“Si president i shtetit, unë duhet të propozoj mandatarin për të cilin bindem se ka shumicën në Kuvend. Do t’i filloj konsultimet. Në mendje kam pasur tre ose katër emra, por nuk jam i sigurt që nuk do të shkojmë në zgjedhje. Vetëm pas 10 ditësh, kur t’ju them nëse do të shkojmë në zgjedhje, apo do të zgjedhim Qeverinë e re, do të mund të flas për mandatarin për kryeministër.”
Presidenti serb ka thënë se ka e pasur shumë të vështirë që të pranojë dorëheqjen e Vuçeviçit.
“Ai e bënte mirë punën e tij”, ka thënë Vuçiq në një adresim para kombit.
Millosh Vuçeviç ka dhënë dorëheqje më herët gjatë ditës së martë, në valë e sipër të protestave për incidentin në Novi Sad, në nëntor të vitit të kaluar, ku si pasojë e shembjes së një pllake të madhe betoni janë vrarë 15 persona.
Dorëheqje ka dhënë edhe kryetari i Novi Sadit, Millan Gjuriç.
Për më shumë se dy muaj në Serbi, mijëra studentë dhe qytetarë të tjerë kërkojnë përgjegjësi penale dhe politike për tragjedinë e ndodhur në qytetin serb.
Edhe pas vendimit të Vuçeviçit për dorëheqje, përfaqësuesit e studentëve në Serbi kanë thënë se kërkesat e tyre nuk janë plotësuar dhe kanë paralajmëruar protesta të reja.
Vuçiç, në anën tjetër, ka përsëritur se të gjitha kërkesat e studentëve janë përmbushur.
Sipas tij, protestat dhe bllokadat i kanë shkaktuar dëm të madh ekonomisë së Serbisë dhe sektorit të investimeve, dhe njësoj sikurse Vuçeviç ka pretenduar se organizimi është bërë sipas “urdhrit nga jashtë”, por pa përmendur dikë në mënyrë specifike.
Në natën mes 27 dhe 28 janarit, protestuesit janë përkrahur nga bujqit, të cilët kanë bllokuar me traktorët e tyre rrugë kryesore të kryeqytetit serb, Beogradit. Me kalimin e kohës, zemërimi për vdekjet në Novi Sad është zgjeruar me kërkesa tjera.
Protestuesit kanë thënë se nuk janë të interesuar në politikë dhe nuk i shohin dorëheqjet si problemin kryesor. Ata insistojnë që institucionet serbe të punojnë siç duhet.
“Ne do të dëshironim të jetonim në një shtet ku çdo institucion mund të bëjë punën e vet në mënyrë të pavarur, pa korrupsion apo presion të jashtëm”, ka thënë studentja universitare, Jana Llomiç në një prononcim për Radion Evropa e Lirë.
Lëvizja e studentëve nuk ka liderë. Ata i marrin vendimet me shumicë votash. /REL