Shqipëria U-21 përballet me Luksemburgun
Kombëtarja Shpresa do të luajë një ndeshje miqësore me Luksemburgun më 25 Mars.
Federata Shqiptare e Futbollit po punon që kombëtarja e 21-vjeçarëve të zhvillojë edhe një sfidë tjetër miqësore po në muajin Mars.
Faza e grupeve për kualifikueset e Europianit 2027 nis më 2 Qershor. Nisur nga fakti që ekipi U-21 është kualifikuar automatikisht për në finalet e Europianit të 2027, si vend organizator bashkë me Serbinë, institucioni i futbollit duhet që në vazhdim të zëvendësojë takimet kualifikuese me miqësore.
Objektiv i trajnerit Alban Bushi është që gjendja e skuadrës të jetë sa më e mirë dhe të testojë veten me kundërshtarë sa më të fortë, që të ketë përgatitjen e duhur për fazën përfundimtare.
FSHF njoftoi se ndeshja me Luksemburgun do të zhvillohet në stadiumin “ Georges Wohlfart”, në orën 18:30.
Sfida do t’i shërbejë teknikut Bushi dhe stafit të tij të shohin lojtarët në aksion, por edhe për të testuar emra të rinj që vijnë nga ekipet e tjera të moshave.