Bie numri i lindjeve, numri i shkurorëzimve rritet!

Flaka
Botuar nga Flaka 9 Mars, 2025 00:21

Bie numri i lindjeve, numri i shkurorëzimve rritet!

Martesat dikur shiheshin si të përjetshme, por sot gjithnjë e më shumë çifte po zgjedhin divorcin si zgjidhjen e fundit, ose ndoshta të vetmen. Sipas raportit të fundit të Entit Shtetëror të Statistikave, në tre muajt e fundit të vitit që lamë pas, janë divorcuar 601 çifte, që krahasuar me periudhën e njëjtë të një viti më parë është rritur për 23,9 për qind. Sipas të njëjtit raport, është ulur edhe numri i çifteve që zgjedhin martesën, ku brenda tre muajve janë lidhur 2 430 kurorëzime, që krahasuar me periudhën e njëjtë të një viti më parë është shënuar ulje prej 14.7 për qind.

Njohësit e rrethanave sociologjike dhe psikologjike, thonë se vendimi I shpejtë për martesë është një prej shkaktarëve kryesorë që çojnë në divorc.

“Mendoj se si shkaqe kryesore dhe ato që e tregojnë hulumtimet e fundit janë se çiftet apo partnerët që vendosin të ndajnë jetën bashkë, nuk e njohin njëri-tjetrin. Domethënë është mosnjohja mes tyre dhe të interesave. Për shkak se para martesës ka shumë momente interesante, ku normal është punë emocionale, punë ndjenjash dhe aty logjika nuk është aq edhe shumë e qartë, por në fakt pas martesës, kur ata fillojnë të jetojnë bashkë dhe fillojnë ta njohin njëri-tjetrin besoj se atëherë fillojnë të dalin në sipërfaqe gjëra që nuk janë parë në kohë“, tha Fatime Ziberi, psikologe.

Ziberi thotë se edhe mungesa e tolerancës dhe aspekti sociologjik janë poashtu disa nga arsyet që ndikojnë më së shumëti në rritjen e kësaj dukurie.

“Mos t’i harrojmë edhe shkaktarët e tjerë, mbase është aspekti sociologjik është edhe rrethi ku jetojnë. Për shkak se çifti si çift kanë pasur pritshmëri se do të kenë privatësinë e tyre, do të kenë të drejtën të bëjnë çfarë të duan, dhe të shijojnë lumturinë e tyre, ndërkaq kushtet fizike sociale nuk e mundësojnë një gjë të tillë”, tha Fatime Ziberi, psikologe.

Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikës, në tremujorin e katërt të vitit 2024, është ulur edhe numri i lindjeve në vend. Kanë lindur 3 968 fëmijë, dhe krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, numri i tyre është ulur për 4.2 %. Në tremujorin e katërt të vitit 2024 kanë vdekur 5 174 persona, nga të cilët 10 foshnje, që shënon ulje prej 1.0 % në krahasim me të njëjtin tremujor të vitit 2023. Shtimi natyrorë është negativ -1 206, që do të thotë, se numri i lindjeve është më i ulët se numri i vdekjeve./Alsat.mk

Flaka
Botuar nga Flaka 9 Mars, 2025 00:21