Ligji për media, ja kushtet për t’u trajtuar portalet si media!
Qeveria në seancën e fundit miratoi ndryshimet në Ligjin e Mediave, me të cilin parashikohet të rregullohet statusi i internet portaleve, që sipas kornizës ligjore ekzistuese nuk trajtohen si media. Sipas Qeverisë, kjo do të kontribuojë në stimulimin e vetërregullimit të mediave, profesionalizimit dhe konkurrencës.
“Propozimi për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për media synon të forcojë konkurrencën në hapësirën mediatike dhe të zgjidhë problemet ekzistuese me portalet e internetit, duke krijuar një kornizë ligjore që i njeh ato si të tilla, përkatësisht duke përcaktuar rregulla të qarta për themelimin dhe regjistrimin e tyre”, njoftojnë nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut.
Ndonëse nuk janë të rregulluara me ligj, internet portalet realizojnë benefite shtetërore, sidomos gjatë periudhës së fushatës zgjedhore, kur edhe paraqitet dukuria e shtimit të numrit të internet portaleve, të cilët kanë për qëllim të marrin para për reklama zgjedhore. Sipas raportit të KSHZ-së, në zgjedhjet parlamentare të vitit të kaluar, mbi 150 portale kanë fituar gjithsej 811 mijë euro.
Me ligjin e ri parashikohet që të krijohet një regjistër, i udhëhequr nga Agjencia për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuale, ndërkaq portalet që do të duan të identifikohen si media do të duhet të hyjnë në regjistër.
Por, për ta bërë këtë, duhet të plotësojnë disa kushte, mes tjerash të kenë domen vendor mk ose mkd, të kenë seli dhe çmimore, por edhe të dhëna për pronarin, kompaninë dhe stafin. Për t’u futur në regjistër, gjithashtu portalet duhet ta plotësojnë edhe kushtin që të kenë së paku tre të punësuar. Megjithatë, mbetet të shihet nëse do të ketë ndonjë ndryshim apo jo, pasi që i njëjti duhet të miratohet në Kuvend në periudhën në vazhdim. /Alsat/