Opinion: Çairi bastion i mafisë urbane të VLEN-it
Opinion nga: Gent Aliu
Komuna e Çairit, dikur quhej Mafia Urbane e Izetit, ndërsa tani e quajnë Princesha e Ndërtimeve të Paligjshme. Visari ka bërë një evoluim me kohën, por jo edhe për nga rreptësia, thjesht për nga emri. Ky rrjet i fshehtë pushteti, korrupsioni dhe ndikimi, ka formësuar komunën e Çаirit, duke vepruar në hijet e burokracisë dhe biznesit.
Taktikat e saj varrojnë nga manipulimi i tregut të pasurive të paluajtshme deri te monopolet e ndërtimit, duke siguruar që pasuria dhe kontrolli të mbeten në duart e disa individëve, ndërsa banorët e rëndomtë të përballen me represionin, rritjen e kostove, zhvendosjen, vështirësinë e lëvizjeve dhe degradimin e standardit jetësor.
Arkitektët e heshtur të pushtetit, të cilët kanë përfituar majshëm nga kjo Mafi Urbane, nëpërmjet korrupsionit urban i cili ka lulëzuar në forma të ndryshme këto 22 vitet e fundit në këtë komunë, me grupe të fuqishme inxhinieron lagje të tëra për të shërbyer interesat e tyre, në vend të mirës së përbashkët.
Qoftë përmes skemave të grabitjes së tokës nga individë me të ardhura të dyshimta, apo zyrtarëve të korruptuar të komunës që shesin pronat publike për 1 euro metër katrorin, apo skemave më të ndërlikuara perfide, banesat vazhdojnë të ndërtohen pa asnjë kriter paraprak, gjë që dëshmon se i vetmi vizion dhe motiv për ta lejuar këtë, është pasurimi individual i këtij grupi mafioz.
Se Mafia Urbane vazhdon të evoluojë me të madhe në komunën e Çairit, sidomos pas ardhjes së VLEN-it në pushtet, flasin veprimet e tilla që detyruan sot Kryetaren e Qytetit të Shkupit Danela Arsovska personalisht të vizitojë një objekt të tillë i cili është në ndërtim e sipër.
Asnjë leje për ndërtim, asnjë masë sigurie për punëtorët, makineri e paregjistruar dhe mbi të gjitha ndërtimi bëhet mbi një tokë të uzurpuar, në fillim të hyrjes së urës mbikalese që çon në Bit Pazar.
Prania e gazetarëve në këtë inspektim konstatoi mungesën e forcave policore, të cilët edhe pse janë ftuar dikush i ka ndaluar të dalin në teren. Stacioni policor i Bit Pazarit ndodhet 100 metra larg nga kjo ndërtesë e paligjshme. Gazetarët poashtu kishin informuar edhe Ministrin e Punëve të Brendshme Pançe Toshkovskin që të tregojë se kush i ndalon policët të dalin e të kontrollojnë këto veprimtari të kundërligjshme.
Madje kishte edhe komente se me lejimin e këtij objekti dikush ka inkasuar ndonjë milion më shumë.
Për hir të vërtetës, pas asaj banese janë ndërtuar edhe disa të tjera, ku për ironi një ndërtesë 8 katëshe, akoma në ndërtim e sipër, i është ngjitur një shtëpie përdhese një katëshe, duke ia bllokuar edhe Diellin edhe hënën, edhe ajrin edhe frymën.
Banorët të frikësuar për sigurinë e tyre, shpesh herë nuk lajmërojnë këto veprime, duke ditur se edhe po të lajmërojnë, askush nuk do të ndërmarri asnjë masë, e në të kundërt siguria e tyre dhe pronës së tyre do të jetë cak i “muskujve” të këtyre mafiozëve. Jo pak makina të qytetarëve janë djegur në të kaluarën e afërt në komunën e Çairit.
Ndërsa disa luftojnë për të rikthyer hapësirat urbane për qytetarët, fuqia e këtyre rrjeteve korruptive e bën rezistencën të vështirë. Aktivistët, gazetarët investigativë dhe informatorët shpesh përballen me beteja ligjore, ngacmime ose “aksidente” misterioze. Megjithatë, çdo skandal i zbuluar, çdo rast i hetuar, e dëmton më tej perandorinë e tyre.
Mafia Urbane në Çair, Shkup, operon brenda një sistemi të gjerë korrupsioni dhe kriminaliteti në mbështetje të politikës lokale dhe qendrore, andaj jo më kot quhet BASTION i VLEN-it.
Rubrika Opinione është rubrikë e hapur për të shprehur qëndrime për fenomente të caktuara nga lexuesit tanë, por redaksia jodomosdoshmërisht pajtohet me përmbajten e tyre. Opinionet nuk paraqesin qëndrimin editorial të FLAKA-s. Palët e përfshira në debate mund të paraqesin reagimet e tyre, dhe redaksia do t’i pasqyron.