Pse po na arrestojnë ushtarët?
Koment: Redaksia Flaka
Pas gati dy dekadash në arrati, shërbimet e sigurisë së Maqedonisë kanë lokalizuar dhe arrestuar Hamdi Bajramin, i njohur si “Komandant Breza”. Për të ishte lëshuar një urdhërarrest ndërkombëtar që nga viti 2003, raporton Flaka Media.
Bajrami, i regjistruar në dokumentet zyrtare si Bajramovski, ishte në kërkim nga Gjykata Themelore Shkup – II, për vepra penale sipas nenit 237 të Kodit Penal, si dhe për vepra të tjera të rënda.
Hamdi Bajrami është një nga figurat më të njohura të luftës së vitit 2001 në Maqedoninë e Veriut. Ai ishte një prej atyre ushtarëve që nuk kursyen as jetën e tyre në betejën për të drejtat e shqiptarëve, për barazi kombëtare dhe dinjitet.
Megjithatë, për më shumë se dy dekada, Bajrami ka jetuar në ilegalitet, duke u shpallur nga autoritetet maqedonase si “armiku më i rrezikshëm”. Kjo në kundërshtim me shumë luftëtarë të tjerë të vitit 2001, të cilët janë përfshirë në amnisti dhe janë integruar në jetën politike dhe shoqërore.
Pyetja që shumë të tjerë shtrojnë është: Përse Hamdi Bajrami nuk është amnistuar, ndërkohë që të tjerët janë liruar? Ku janë politikanët shqiptarë që dikur përfituan nga sakrificat e ushtarëve? Pse mungon vullneti politik për të njohur dhe përkrahur ata që luftuan për të drejtat e komunitetit shqiptar?
Hamdi Bajrami vazhdon të jetojë i ndjekur dhe larg një jete normale qytetare, ndërsa shumë presin një ditë kur edhe ai të shijojë lirinë e vërtetë dhe të përfshihet në proceset që formojnë të ardhmen e vendit.
Kjo ngjarje ngre nevojën për reflektim serioz mbi drejtësinë dhe trajtimin e luftëtarëve të drejtë pa përjashtime. Flaka Media
















