Kur meritokracia vdes, ikin ata që mund ta ringjallnin
Opinion nga Nusret Demiri
Në këtë vend të lodhur nga tranzicionet dhe premtimet e pambajtura, ku e nesërmja gjithmonë vjen më e turbullt se e sotmja, një vdekje po ndodh në heshtje – vdekja e meritokracisë.
Dhe bashkë me të, po shuhet edhe e ardhmja. Nuk është një vdekje e papritur, as aksidentale. Është një vrasje me qëllim, një krim i heshtur që kryhet çdo ditë në zyrat e shtetit, në institucionet e korruptuara, në konkurset e manipuluara, në vendimet e paracaktuara vite me radh.
Në vend që të udhëhiqet nga ata që kanë dije, përkushtim dhe vizion, shteti i dorëzohet atyre që kanë vetëm një armë: lidhjen, mikun, partinë që nga themelimi i këtij Shteti . Vlerat e vërteta shkelmohen nga mediokriteti, ndërsa servilizmi shpërblehet si virtyt.
Ky është paradoksi që po përpin çdo shpresë. Drejtësia nuk është më drejtësi, kur gjykatësi është aty sepse i shërbeu dikujt, jo drejtësisë. Shëndetësia nuk është më shpëtim por biznes, kur mjeku nuk është më i miri, por më i lidhuri.
Arsimi nuk ndriçon, kur profesori është aty për të ruajtur karrigen, jo për të formuar mendje. Në çdo cep të shtetit, është përhapur një virus i rrezikshëm: paaftësia me pushtet. Dhe si pasojë, më të mirët po largohen. Jo sepse nuk e duan vendin, por sepse vendi nuk i do ata. Nuk i jep asnjë arsye të qëndrojnë. Çdo vit, avionët mbushen me të rinj që nisen me një biletë vetëm vajtje. Me sytë që mbajnë mallin për shtëpinë, por me zemrën që është lodhur së prituri ndryshimin.
Ata nuk ikin për pasuri të mëdha – ikin për dinjitet, për vlerësim, për një jetë ku mund të ndihen të barabartë, jo të nënshtruar. Ky largim nuk është thjesht një fenomen social – është një katastrofë kombëtare. Po ikin mjekët më të zotë, inxhinierët më të përgatitur, mësuesit më të përkushtuar, programuesit më të talentuar, artistët më shpirtplotë. Po ikin njerëzit që mund ta rindërtonin këtë vend nga themelet, por po i braktis sistemi që ka frikë nga mendjet e lira dhe duart e pastra.
Në vend të tyre, ngelen postet bosh ose zihen nga njerëz të paaftë që janë aty vetëm për të ruajtur interesin personal apo të një partie. Kjo është më shumë se padrejtësi – është vetëshkatërrim. Dhe pyetja që duhet të na djegë të gjithëve është: Çfarë mbetet nga një komb, kur ikin ata që mund ta shpëtonin?