Sot, opinioni publik është dëshmitar i një farse të re emërimesh
Zudi Xhelili / Opinion
Kjo që po ndodh sot në Maqedoninë e Veriut është një shfaqje e qartë e tendencës për të centralizuar pushtetin dhe për të rrudhur rolin e faktorit shqiptar në qeverisje, përmes zëvendësimeve që nuk reflektojnë vullnetin e komunitetit shqiptar dhe as barazinë në përfaqësim.
Sot, opinioni publik është dëshmitar i një farse të re emërimesh në institucionet qeveritare të Maqedonisë së Veriut, që vijnë si rezultat i zëvendësimit të kuadrove të Aleancës për Shqiptarët (ASH, pjesës së udhëhequr nga z. Arben Taravari.
Ajo që bie në sy nuk është thjesht rikonfigurimi formal i posteve, por mënyra e zgjedhjes së emrave: figura të kontestuara, pa legjitimitet publik dhe me lidhje të drejtpërdrejta personale apo politike me Kryeministrin aktual.
Ky është një sinjal shqetësues për gjithë procesin demokratik dhe për respektimin e barazisë ndëretnike në vend. Këto veprime përfaqësojnë një politikë të përjashtimit të heshtur ndaj faktorit shqiptar dhe synojnë asimilimin e përfaqësimit shqiptar përmes figurave të kontrolluara, jo të përzgjedhura nga komuniteti shqiptar.
Kjo situatë nuk mund të kalojë pa një reagim serioz e të koordinuar të gjithë spektrit politik shqiptar, pa dallim partie. Shqiptarët nuk mund të pranojnë që të reduktohen në spektatorë në vendin ku janë bashkëthemelues dhe faktor shtetformues.
Duhet ngritur zëri, në opinionin publik, për të denoncuar përjashtimin sistematik; Gjithashtu në instancat ndërkombëtare, për të kërkuar garanci për përfaqësim të barabartë. Pra, në vend të mbylljes, Koha e heshtjes ka kaluar. Nëse lejojmë që pushteti të ndjekë këtë kurs pa rezistencë, rrezikojmë jo vetëm të humbasim peshën politike të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, por edhe të kompromentojmë stabilitetin ndëretnik në vendin tonë.
















