Fjalimi i Ali Ahmetit: BDI forcon unitetin, drejtësinë dhe zhvillimin e qëndrueshëm| VIDEO

Në Kongresin e pestë të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), kryetari Ali Ahmeti mbajti një fjalim të gjatë dhe të qartë, duke theksuar prioritetet strategjike të partisë për zhvillimin e shtetit, konsolidimin e barazisë dhe integrimin evropian.
“Ky Kongres nuk është vetëm një stërvitje organizative brenda partiake. Por, është një ndalesë reflektimi dhe një pikë nisjeje për fazën e ardhshme të vendit tonë,” tha Ahmeti, duke rikujtuar se BDI nuk ka lindur si parti e zakonshme, por nga nevoja për paqe, barazi dhe bindja se vendi mund të jetë i qëndrueshëm vetëm nëse është i drejtë dhe me mundësi të barabarta.
Ai theksoi rëndësinë e përforcimit të karakterit unitar të shtetit: “Uniteti nuk ndërtohet me shumicë mekanike dhe majorizim. Shteti unitar i Maqedonisë së Veriut mund të jetë funksional dhe i qëndrueshëm vetëm nëse mbështetet mbi besimin dhe lojalitetin e të gjitha komuniteteve që jetojnë në të.”
Ali Ahmeti prezantoi tre masa kryesore për të garantuar përfaqësim të drejtë dhe barazi funksionale: zgjedhje të qeverisë me shumicë të dyfishtë, zbatimin e parimit të Badenterit në Gjykatën Kushtetuese dhe thellimin e decentralizimit dhe vetëqeverisjes lokale. “Ky model decentralizimi do të forcojë demokracinë lokale, do të ulë ekonominë gri dhe do të rrisë cilësinë e jetës në të gjitha rajonet e vendit,” tha ai.
Fokus i veçantë u dha edhe drejtësisë dhe luftës kundër korrupsionit: “Drejtësia nuk guxon të jetë selektive. Gjyqësori dhe prokuroria duhet të jenë të pavarura, me buxhet të mjaftueshëm dhe respektim të përpiktë të ligjit,” theksoi Ahmeti, duke përfshirë edhe mbështetjen për veting të plotë me mbikëqyrje ndërkombëtare.
Ai prezantoi gjithashtu vizionin ekonomik dhe zhvillimin e qëndrueshëm: “Në qendër të këtij vizioni qëndron një ekonomi konkurruese dhe moderne, ku konkurrenca është e ndershme, ku monopoleve dhe oligarkisë u vihet kufi, dhe ku sistemi tatimor është i drejtë dhe efikas.”
Integrimi evropian mbeti prioritet kryesor i partisë: “Anëtarësimi në Bashkimin Evropian është përcaktim i pakthyeshëm politik. Ai nuk është thjesht proces teknik, por zgjedhja historike për një shtet modern, demokratik dhe funksional, të ndërtuar mbi vlera europiane dhe standarde të larta të qeverisjes,” tha Ahmeti.
Në përfundim, ai bëri thirrje për pjesëmarrje aktive të qytetarëve, të rinjve, grave dhe diasporës: “E ardhmja nuk ndërtohet me zhurmë, por me vizion. Jo me ndasi, por me barazi. BDI do të vazhdojë të jetë forca e unitetit, stabilitetit dhe integrimit europian. Bashkë, me urti, unitet dhe vendosmëri, do ta ndërtojmë ardhmërinë tonë përparimtare Europiane.”
Ky fjalim konsolidon pozicionin e BDI-së si një forcë politike që synon të ruajë unitetin shtetëror, të forcojë drejtësinë dhe të avancojë rrugën e vendit drejt Bashkimit Evropian. Gazeta Flaka
Në Kongresin e pestë të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) u miratuan katër rezoluta kyçe, të cilat përcaktojnë orientimin politik dhe programor të partisë në periudhën e ardhshme, raporton Gazeta Flaka
Rezoluta e parë ka të bëjë me përforcimin e karakterit unitar të shtetit dhe konsolidimin e barazisë funksionale, duke theksuar nevojën për respektim të plotë të parimeve kushtetuese, bashkëjetesës ndëretnike dhe funksionimit të barabartë të institucioneve për të gjithë qytetarët.
Rezoluta e dytë i kushtohet shtetit të së drejtës, drejtësisë së pavarur dhe rikthimit të besimit në institucione, me fokus në luftën kundër korrupsionit, depolitizimin e sistemit të drejtësisë dhe garantimin e sundimit të ligjit si themel i një shoqërie demokratike.

Rezoluta e tretë parasheh arritjen e një marrëveshjeje kombëtare për përparim dhe zhvillim të qëndrueshëm të vendit, duke promovuar dialogun politik, stabilitetin institucional, zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien sociale si prioritete strategjike.
Rezoluta e katërt i referohet integrimit evropian, duke riafirmuar përkushtimin e BDI-së për anëtarësimin e plotë të vendit në Bashkimin Evropian, përshpejtimin e reformave dhe harmonizimin e legjislacionit me standardet evropiane.
Sipas liderit të BDI-së, Ali Ahmeti këto rezoluta përbëjnë bazën e angazhimit të saj politik për forcimin e demokracisë, stabilitetit dhe perspektivës evropiane të vendit.
Kongresi i Bashkimit Demokratik për Integrim u zhvillua me praninë e përfaqësuesve të shumtë politikë nga spektri vendor, duke reflektuar interesimin dhe peshën politike të këtij organizimi. Në mesin e të pranishmëve ishin edhe Arjanit Hoxha, Arben Taravari dhe Skender Rexhepi – Zejdi, si dhe sekretari i përgjithshëm i VMRO-DPMNE-së dhe një deputete e kësaj partie, çka u vlerësua si sinjal i komunikimit dhe respektit institucional ndërmjet subjekteve politike.
Bajram Rexhepi, Erkan Arifi, Valdet Xhaferi dhe Faton Pollozhani janë emrat që po përmenden më së shumti dhe që pritet të zgjidhen si nënkryetarë të rinj të BDI-së. Në mesin e tyre përmenden emra nga Shkupi dhe Dibra që po ashtu do jenë pjesë e strukturës së lartë të BDI. Gazeta Flaka



















