Arsim Zekolli: Momenti kur u thye stereotipi

Analisti politik Arsim Zekolli e ka cilësuar Konferencën Ministrore të OSBE-së të mbajtur në Shkup si një moment kthese të heshtur, por vendimtar, në politikën e brendshme dhe perceptimet shtetërore në Maqedoninë e Veriut.
Sipas Zekollit, ajo konferencë nuk ishte thjesht një ngjarje diplomatike, por një “çarje” reale në një stereotip të vjetër, të kultivuar për dekada: se shqiptarët dhe politikanët shqiptarë nuk kanë kapacitet institucional, diplomatik dhe profesional për të menaxhuar procese serioze shtetërore dhe ndërkombëtare. Organizimi i një eventi të tillë global, pa incidente dhe me vlerësime të larta nga faktori ndërkombëtar, e rrëzoi këtë narrativë në mënyrë publike dhe të pakthyeshme.
Zekolli argumenton se pikërisht nga ai moment, përplasja politike ndaj BDI-së nuk ishte më vetëm çështje pushteti apo korrupsioni, por u shndërrua në reagim ndaj një realiteti të ri: se hierarkitë e vjetra perceptuese mbi “kush është i aftë të përfaqësojë shtetin” kishin filluar të shemben. Për herë të parë, një strukturë politike shqiptare demonstroi në sy të botës kapacitete shtetformuese që deri atëherë ishin konsideruar ekskluzive.
Në këtë prizëm, sipas Zekollit, edhe fushatat e mëvonshme “anti-BDI”, retorika për “cilësi mbi etni” dhe përpjekjet për ta paraqitur largimin e BDI-së si parakusht për reforma, duhet të lexohen si pjesë e një kundër-reagimi më të thellë. Jo ndaj një partie, por ndaj faktit se profesionalizmi, orientimi perëndimor dhe përfaqësimi serioz shqiptar kishin dalë jashtë kontrollit të narrativave tradicionale.
Reformat e fundit të miratuara në Kongresin e BDI-së, në këtë kuptim, nuk paraqiten si një korrigjim i rastësishëm pas zgjedhjeve, por si vazhdimësi e atij mesazhi që u dha në Shkup gjatë Ministeriales së OSBE-së: se politika moderne matet me kapacitete reale, jo me stereotipe, dhe se rutinizimi i dobësisë nuk mund të mbijetojë përballë profesionalizmit të dëshmuar.
Sipas Zekollit, reagimet nervoze që pasuan këto reforma janë shenjë se rutina ka marrë fund – dhe se fundi i rutinës është gjithmonë momenti më i shqetësues për ata që kanë jetuar gjatë prej saj.



















