Arta Bilalli Zendeli zëdhënëse e re e BDI-së

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka mbajtur sot mbledhjen e Kryesisë Qendrore, gjatë së cilës janë marrë vendime të rëndësishme organizative dhe kadrovike, në funksion të konsolidimit të strukturave dhe rritjes së efikasitetit politik të partisë.
Nënkryetarja e BDI-së, Arta Bilalli Zendeli, pas përfundimit të mbledhjes, bëri të ditur se, në pajtim me statutin e miratuar në Kongresin e fundit, kryetari i partisë Ali Ahmeti ka realizuar disa emërime strategjike.
”Të dashur miq, Në Mbledhjen e Parë të Kryesisë së Këshillit të Përgjithshëm të Bashkimit Demokratik për Integrim, me propozim të Kryetarit z. Ali Ahmeti dhe përkrahjen e anëtarëve të Kryesisë së KP, jam caktuar zëdhënëse e organizatës tonë politike- Bashkimi Demokratik për Integrim!
Me këmbë në tokë, me krahë të lehtë dhe bashkëpunimin adekuat që kërkon kjo detyrë shpresoj që t’ia dal mbanë” shkruan Zendeli.
BDI ka emëruar një grua me përvojë ndërkombëtare në postin e zëdhënëses së partisë. Arta Bilalli Zendeli, e njohur për angazhimin e saj institucional dhe përvojën në komunikim politik në kontekst më të gjerë ndërkombëtar, është emëruar zëdhënëse e BDI-së, duke sinjalizuar një qasje më të artikuluar, më moderne dhe më përfaqësuese të komunikimit publik të partisë.
Po ashtu, Faton Ahmeti është emëruar shef i kabinetit të kryetarit të BDI-së, ndërsa Seadin Beqiri është emëruar këshilltar për marrëdhënie me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke reflektuar rëndësinë që partia i kushton dimensionit strategjik ndërkombëtar.
Në kuadër të riorganizimit të degëve, kryetari Ahmeti ka emëruar kryetarë të rinj në disa qytete: Bajram Regjepi për Degën e Tetovës, Ridvan Asani për Kumanovën, Faton Pollozhani për Strugën, Valde Xhaferi për Gostivarin, ndërsa për Degën e Çairit është emëruar Bujar Osmani.
Sipas Zendelit, këto vendime kanë për qëllim fuqizimin e strukturave partiake, profesionalizimin e komunikimit politik dhe përgatitjen e BDI-së për sfidat politike të periudhës së ardhshme, me theks të veçantë në përgjegjësi, përfaqësim dinjitoz dhe vizion afatgjatë. Gazeta Flala



















