Limani iu përgjigj Bejtës: Salla e Këshillit do të kushtojë 530 mijë euro – Do të bëhet rinovimi i katit përdhesë


Kandidati për kryetar të Komunës së Gostivarit nga koalicioni AKI, Valbon Limani, në emisionin Click Plus në TV21 iu përgjigj akuzave të kandidatit të VLEN, Nevzat Bejta, lidhur me shpenzimet për rindërtimin e Sallës së Këshillit Komunal.
Limani bëri të ditur se projekti kap vlerën e 530 mijë eurove, duke theksuar se gjatë kësaj periudhe do të bëhet rinovimi i tërë katit përdhesë.
Ai gjithashtu theksoi se aktivitetet për promovimin e programit zgjedhor i zhvillojnë së bashku me anëtarët e ASH-Sela dhe se kanë marrëdhënie të shkëlqyera me shumicën e tyre.
Në lidhje me zgjedhjet e 19 tetorit, Limani njoftoi se censusi nuk u arrit për 21 vota, por sipas tij, në zgjedhjet e përsëritura më 11 janar nuk pritet ndryshim i rezultatit.
“Qytetarët e dhanë verdiktin e tyre për udhëheqësin e Komunës së Gostivarit, por për 21 vota u deshën zgjedhje të përsëritura. Jam i bindur se ata që votuan atë ditë nuk do të ndryshojnë vendimin e tyre. E vetmja gjë që mbetet të shihet është numri i qytetarëve që do të dalin në këtë raund të ri të zgjedhjeve”, tha Limani.





















