Ekspertët paralajmërojnë: Dehidratimi në dimër mund të jetë më i rrezikshëm se në verë


Jadira Santiago Banuelos, ligjëruese klinike dhe mjeke e mjekësisë familjare në Purdue University, thekson se gjatë dimrit ndjenja e etjes bie deri në 40%, duke bërë që shumë njerëz të mos pijnë ujë sa duhet. Pasojat shfaqen në lodhje, përqendrim të dobët, lëkurë të thatë, dhe probleme serioze me veshkat, përfshirë gurët në veshka dhe, në raste ekstreme, dështimin e tyre.
Banuelos shpjegon se hidratimi është po aq i rëndësishëm në dimër sa edhe në verë, madje ndonjëherë edhe më shumë. Uji ndihmon në lubrifikimin e nyjave, mbrojtjen e mukozave dhe forcimin e sistemit imunitar, duke reduktuar rrezikun nga ftohjet dhe gripi.
Shumë njerëz nuk e lidhin dimrin me rrezikun e dehidratimit dhe nuk monitorojnë sasinë e ujit që pijnë. Ajri i thatë i dimrit tërheq lagështinë nga lëkura dhe djersa avullon më shpejt, prandaj dehidratimi shpesh nuk vërehet menjëherë.
Sa ujë duhet të pini?
- Burrat: rreth 13 gota në ditë (~3 litra)
- Gratë: rreth 9 gota në ditë (~2 litra)
Nevojat rriten gjatë shtatzënisë dhe gjidhënies.
Këshilla praktike për hidratim në dimër:
- Pini ujë edhe kur nuk ndjeni etje
- Përdorni çajra pa sheqer dhe supe të ngrohta
- Konsumoni fruta dhe perime të pasura me ujë
- Vendosni një shishe uji pranë jush gjatë ditës
- Përdorni lagështues ajri në ambiente të mbyllura
- Kufizoni pijet që dehidratojnë, si alkooli dhe kafeina e tepërt
Dimri nuk është justifikim për të harruar ujin – hidratimi i rregullt ndihmon në ruajtjen e energjisë, shëndetit të lëkurës dhe forcimin e imunitetit.
Flaka





















