Fatmire Sherifi, një emër i qëndrueshëm i aktrimit shqiptar


Fatmire Sherifi është një nga ato aktore që nuk ka nevojë për bujë artificiale. Emri i saj lidhet drejtpërdrejt me role të realizuara me përkushtim, profesionalizëm dhe identitet të qartë artistik, kudo ku ka skenë dhe publik shqiptar.
E diplomuar në Universitetin e Tetovës, Fakulteti i Arteve, drejtimi Arti Dramatik – Aktrim, nën mentorimin e Senad Abdulin, Sherifi ka ndërtuar një karrierë të qëndrueshme që nga hapat e parë. Që në paraqitjet fillestare, ajo arriti të fitojë publikun me stil të veçantë dhe interpretim të besueshëm.

Në filmografi numëron disa projekte të rëndësishme, mes tyre: “Lufta mbaroi” me regji të Mitko Panov, “Heroi” i Luan Kryeziut dhe “Besa e thyer”. Në secilin prej këtyre projekteve, Fatmire Sherifi ka dëshmuar elegancë skenike dhe nivel të lartë profesional.
Përveç filmit, ajo paraqitet herë pas here edhe në emisionin “Tregime popullore”, ku trajtohen tema të ndryshme nga jeta dhe historia e shqiptarëve ndër vite. Aktiviteti i saj shtrihet edhe në teatër, veçanërisht në shfaqje për fëmijë, të cilat ajo i konsideron ndër përvojat më mbresëlënëse artistike.

Një dimension tjetër i angazhimit të saj është edhe grimi profesional. Fatmire Sherifi është e njohur edhe si grimere e zonja, e angazhuar në filma dhe shfaqje teatrore, duke dëshmuar aftësi të shumëanshme artistike.
Përtej skenës dhe kamerës, ajo është edhe nënë e dy fëmijëve tashmë të rritur, për të cilët shpreh hapur krenarinë e saj.
Fatmire Sherifi mbetet shembull i artistes së përkushtuar, të qëndrueshme dhe të pandalshme. Një emër për të cilin skena shqiptare ka dhe do të ketë gjithmonë nevojë.






















