Lewandowski mund të largohet nga Barça për një ofertë luksoze nga Arabia Saudite


E ardhmja e Robert Lewandowskit për sezonin e ardhshëm pritet të vendoset pas një takimi kyç që agjenti i tij, Pini Zahavi, do të zhvillojë me drejtuesit e Ligës së Arabisë Saudite. Sulmuesi polak mund të luajë të paktën dy sezone në kampionatin arab, një mundësi që shihet shumë joshëse edhe nga ana financiare, sipas Diario AS.
Javën e kaluar, Lewandowski ka marrë gjithashtu interesim nga Chicago Fire në MLS. Lojtari dhe agjenti i tij janë takuar në Barcelonë me drejtorin sportiv amerikan, Gregg Berhalter, por oferta nga SHBA-të është dukshëm më e ulët krahasuar me atë që vjen nga Lindja e Mesme.
Megjithëse ka kontratë me Barcelonën deri në qershor të vitit 2030, e ardhmja e polakut pritet të jetë temë e nxehtë në muajt në vijim. “Nuk kam nxitim për të vendosur”, ka deklaruar Lewandowski para ndeshjes së Champions League ndaj Club Brugge. Sulmuesi dëshiron ta shijojë maksimalisht këtë vit, madje duke udhëtuar edhe për ndeshje të vështira, si ajo e Kupës në Guadalajara, pavarësisht dëmtimit.
Në Barcelonë po e ndjekin nga afër situatën. Drejtori sportiv Deco po përgatit skenarin e një largimi të mundshëm të Lewandowskit, duke treguar respekt për një futbollist shembullor gjatë katër sezoneve të tij me fanellën blaugrana, por gjithashtu duke planifikuar rinovimin e Ferran Torres dhe afrimin e një përforcimi të ri në sulm.
Flaka





















