Valë moti ekstrem në Itali gjatë Krishtlindjes, shpallet alarm i kuq dhe nisën evakuime


Italia është përfshirë nga një valë moti ekstrem ditën e Krishtlindjes, me reshje të dendura shiu, stuhi të forta ere dhe dëborë në disa zona, duke detyruar autoritetet të shpallin alarm të kuq për rrezik përmbytjesh dhe të nisin evakuime në rajone të ndryshme.
Sipas autoriteteve, përrenjtë dhe rrjedhat ujore kanë dalë nga shtrati, duke përmbytur fusha dhe zona të ulëta. Evakuimet kanë nisur në Castel Bolognese, Cotignola, Bagnacavallo dhe në rajone të tjera të rrezikuara, ku disa familje janë larguar nga banesat për arsye sigurie.
Mbrojtja Civile është vënë në gatishmëri maksimale dhe ka hapur qendra pritjeje për strehimin e familjeve të evakuuara. Bashki të shumta kanë urdhëruar largimin e banorëve që jetojnë pranë lumenjve dhe përrenjve, ndërsa disa rrjedha ujore kanë kapërcyer pragjet e alarmit, pa shkaktuar ende përmbytje të mëdha në zonat urbane.
Autoritetet paralajmërojnë se, nëse situata përkeqësohet, mund të merren masa të jashtëzakonshme, përfshirë hapjen e kontrolluar të argjinaturave në zona rurale për të lehtësuar presionin e ujërave. Erërat e forta me shpejtësi deri në 100 km/h kanë goditur zonat bregdetare mes Monfalcone dhe Trieste, ndërsa reshje dëbore janë regjistruar në Ligurian Perëndimore dhe në Apeninet Toskanë.
Në Lombardi, një rrëshqitje dheu ka prekur zonën e Valdidentros në Valtellinën e Sipërme, duke shtuar shqetësimet për stabilitetin e terrenit. Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal, të shmangin udhëtimet e panevojshme dhe të ndjekin njoftimet zyrtare, pasi situata meteorologjike mbetet e paqëndrueshme në disa pjesë të vendit.
Flaka





















