YouTube fshin dy kanale të mëdha që publikonin video mashtruese të filmave me AI


YouTube ka fshirë dy kanale të njohura që publikonin video të rreme të filmit të krijuara me ndihmën e inteligjencës artificiale (AI). Platforma vendosi të mbyllë Screen Culture nga India dhe KH Studio nga Shtetet e Bashkuara, të cilat së bashku kishin mbi 2 milionë abonentë dhe më shumë se 1 miliard shikime.
Këto kanale nuk e përdornin AI vetëm për argëtim, por kombinonin skena të krijuara me inteligjencë artificiale me materiale reale nga filma, duke krijuar video mashtruese që nuk ishin zyrtare. Për shembull, Screen Culture publikoi 23 versione të ndryshme të trailerit të filmit “Fantastic Four: First Steps”, disa prej të cilave u shikuan më shumë se traileri zyrtar.
Vendimi i YouTube-it vjen ndërsa inteligjenca artificiale po përdoret gjithnjë e më shumë në industrinë e filmit, duke përfshirë krijimin e përmbajtjeve që mund të mashtrojnë publikun, për shembull duke simuluar personazhe ose skena që kurrë nuk kanë ekzistuar në filma.
YouTube theksoi se qëllimi është të mbrojë shikuesit nga përmbajtja mashtruese dhe të ruajë besueshmërinë e platformës në një epokë ku AI po ndryshon mënyrën e prodhimit të përmbajtjeve vizuale.
Flaka





















