Reagon Bujar Osmani: Ministria e Stoilkoviqit shndërrohet në laborator frikësimi për shqiptarët

Nënkryetari i parë i BDI-së, Bujar Osmani, ka reaguar ashpër pas skandalit në Ministrinë për arrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, nën drejtimin e Ivan Stoilkoviq, përcjell Gazeta Flaka. Osmani denoncon një situatë alarmante ku 40 punonjës shqiptarë janë detyruar të punojnë në një zyrë pa karrige, pa tavolina dhe pa kompjuterë, duke qëndruar në këmbë nga ora 7 e mëngjesit deri në 4 pasdite, pa mundësi për të kryer punën e tyre.
Sipas Osmanit, kur punonjësit u detyruan të improvizojnë ulje në dysheme, kjo u përdor për t’i turpëruar dhe poshtëruar publikisht, me mesazhe si “ja si punojnë shqiptarët”. Më pas, 7 punonjës u larguan nga puna, në mënyrë që të krijohej frikë dhe presion mbi të tjerët.
“Poshtërimi u organizua, faji iu faturua viktimës dhe po tentohet të njolloset një komunitet i tërë,” tha Osmani, duke kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të përgjegjësve për këtë situatë.

Reagimi i Osmanit thekson se Ministria, që duhet të jetë simbol i bashkëjetesës ndëretnike dhe Marrëveshjes së Ohrit, është shndërruar në një institucion ku diskriminimi, poshtërimi dhe frikësimi i punonjësve shqiptarë është bërë praktikë e përditshme. Gazeta Flaka
Lexo edhe: Ministria e Stoilkoviqit nën akuzë: Mobing dhe poshtërim për shqiptarët


















