Liverpool mposht Wolves, Wirtz shënon golin e parë me “Reds”

Liverpool ka shënuar një fitore të rëndësishme në javën e 18-të të Premier Ligës, duke mposhtur Wolverhamptonin me rezultatin 2:1 në “Anfield”.
Kampionët aktualë të Anglisë vendosën fatin e ndeshjes në fundin e pjesës së parë, ku realizuan dy gola brenda dy minutash. Ryan Gravenberch hapi serinë e golave në minutën e 41-të, ndërsa vetëm një minutë më vonë Florian Wirtz dyfishoi shifrat.
Wolves u rikthye në lojë në minutën e 51-të, kur Santiago Bueno realizoi golin që ngushtoi diferencën, por pavarësisht përpjekjeve, skuadra mike nuk arriti të shmangë humbjen.

Goli i Florian Wirtz kishte një rëndësi të veçantë, pasi ishte goli i tij i parë me fanellën e Liverpoolit, në paraqitjen e 23-të në të gjitha kompeticionet. Aksioni u ndërtua bukur nga Hugo Ekitike, i cili u çlirua nga kundërshtari dhe asistoi vertikalisht për gjermanin, që shënoi nga afër brenda zonës.
Wirtz mbërriti në “Anfield” gjatë muajit qershor mes pritshmërive të mëdha, pasi Liverpool shpenzoi 116 milionë funte për ta transferuar nga Bayer Leverkusen, duke mposhtur konkurrencën e Bayern Munich dhe Manchester City. Megjithatë, 22-vjeçari kishte pasur një nisje jo të lehtë në Merseyside, me katër asistime në 22 ndeshje, por goli ndaj Wolves pritet të shërbejë si pikë kthese për të.
Flaka


















