Grabitja më spektakolare në Gjermani: Mbi 3,000 kasaforta të zbrazura në Gelsenkirchen
Një nga grabitjet më të mëdha bankare në vitet e fundit ka tronditur Gjermani, pasi një grup hajdutësh arritën të zbrazin më shumë se 3,000 kasaforta në qytetin perëndimor të Gelsenkirchen, duke u larguar me miliona euro.
Sipas burimeve zyrtare, grabitja ndodhi midis 27 dhe 29 dhjetorit 2025, menjëherë pas Krishtlindjeve. Hajdutët hynë në bankë përmes një parkingu aty pranë, duke dëmtuar fillimisht dyert e shkallëve të emergjencës dhe më pas duke hapur një vrimë rreth 40 centimetra të gjerë në murin pranë dhomës së kasafortave me një makinë shpimi industriale.
Të shtunën rreth orës 18:00, alarmi i zjarrit u aktivizua – dyshohet nga vetë autorët. Zjarrfikësit dhe një kompani private sigurie mbërritën në vendngjarje 15 minuta më vonë, por e konsideruan situatën si alarm të rremë dhe u larguan.
Brenda rreth katër orësh, hajdutët hapën pothuajse të gjitha 3,250 kasafortat, duke marrë para, ar dhe bizhuteri me vlerë të konsiderueshme. Policia deklaron se ende nuk ka arritur të përcaktojë saktësisht metodën e përdorur për hapjen e kasafortave dhe mënyrën si autorët shmangën sistemin e kamerave të sigurisë.
Dëshmitarë raportuan se në mbrëmjen e 28 dhjetorit panë disa burra të maskuar pranë parkingut me çanta të mëdha. Pamjet filmike tregojnë dy automjete të dyshuara: një Audi RS 6 të zi dhe një Mercedes Citan të bardhë, të dyja me targa të falsifikuara.
Një nga viktimat, 63-vjeçari Joachim Alfred Wagner, humbi jo vetëm ar me vlerë dhjetëra mijëra euro, por edhe bizhuteri familjare me vlerë të madhe sentimentale.
Banka ka deklaruar se çdo kasafortë ishte e siguruar deri në 10,300 euro, por disa klientë kanë ngritur padi, duke pretenduar masa të pamjaftueshme sigurie. Për më tepër, shumë sende u dëmtuan për shkak të përdorimit të ujit dhe kimikateve nga hajdutët.
Sipas vlerësimeve të mediave, vlera totale e sendeve të vjedhura mund të arrijë deri në 100 milionë euro. Shefi i policisë, Tim Frommeyer, tha se autoritetet janë të vetëdijshme për përmasat e rastit dhe dëmin e madh financiar e psikologjik që u është shkaktuar viktimave. Deri më tani, nuk është bërë asnjë arrestim.
Flaka


















