Aleanca për Shqiptarët: Korrekte në koalicione, e pakompromis në parime
Në një intervistë në emisionin Click Plus në TV21, Valbon Limani ka theksuar se Aleanca për Shqiptarët ka ruajtur gjithmonë korrektësinë politike në çdo koalicion ku ka marrë pjesë, duke iu përmbajtur marrëveshjeve të nënshkruara.
Sipas tij, vendimi për t’u larguar nga qeveria nuk kishte të bënte me emrin e partnerit, por me mosrealizimin e pikave të dakorduara në marrëveshjen e qeverisjes.
“Aleanca për Shqiptarët nuk largohet nga partnerët për arsye emocionale apo taktike, por kur nuk respektohen marrëveshjet,” deklaroi Limani, duke shtuar se problemi ishte mungesa e zbatimit të obligimeve të marra.
Ai renditi disa prej arsyeve kryesore që, sipas tij, çuan në këtë vendim: stagnimi në ndryshimet kushtetuese dhe në procesin e integrimit evropian; vonesat në miratimin e ligjit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat; margjinalizimi i rolit të faktorit shqiptar në vendimmarrje; si dhe mungesa e zhvillimit ekonomik që do të reflektonte drejtpërdrejt në mirëqenien e qytetarëve.
Limani theksoi se për ASH-në parimet janë mbi çdo kalkulim politik afatshkurtër dhe se çdo bashkëpunim i ardhshëm do të varet nga respektimi strikt i marrëveshjeve dhe garantimi i barazisë reale në qeverisje.
Deklaratat e tij vijnë në një moment kur raportet brenda shumicës parlamentare dhe dinamika e koalicioneve mbeten temë e debatit publik. Gazeta Flaka















