Stuhi e fuqishme dimërore godet verilindjen e SHBA-së, miliona banorë nën alarm
Një stuhi e fuqishme dimërore ka nisur të godasë verilindjen e Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke vendosur rreth 59 milionë banorë nën paralajmërime për mot të rrezikshëm dhe duke shkaktuar ndërprerje masive të energjisë elektrike si dhe ndalim të qarkullimit në disa zona, përfshirë New York City.
Gjendje e jashtëzakonshme është shpallur në disa shtete, përfshirë Massachusetts, Connecticut, Delaware, New Jersey dhe Rhode Island. Disa prej tyre kanë vendosur kufizime apo ndalesa të plota të udhëtimit për shkak të stuhisë së dëborës, ndërsa mijëra fluturime janë anuluar.
Sipas National Weather Service, gjatë stuhisë mund të bien 5-7 centimetra borë në orë, ndërsa trashësia totale e dëborës pritet të arrijë nga 30 deri në 60 centimetra. Autoritetet paralajmërojnë kushte udhëtimi “pothuajse të pamundura” dhe “jashtëzakonisht të rrezikshme”.
Ndërprerjet e energjisë kanë prekur mbi 150 mijë persona në shtetet verilindore, përfshirë rreth 60 mijë vetëm në New Jersey. Dhjetëra mijëra të tjerë kanë mbetur pa energji në Virginia, Delaware dhe Maryland, sipas të dhënave nga platforma monitoruese PowerOutage.us.
Ndërkohë, sipas platformës FlightAware, rreth 5,500 fluturime u anuluan të dielën në mbarë SHBA-në, ndërsa qindra të tjera u shtynë.
Parashikuesit e motit paralajmërojnë se stuhia do të vazhdojë të ndikojë në pjesën më të madhe të verilindjes dhe zonat bregdetare, duke sjellë reshje të dendura bore, erëra të forta dhe rrezik për përmbytje bregdetare.
Flaka















