Eurothink: Që të ndjehen më të sigurtë, qytetarët e Maqedonisë kërkojnë rikthimin e “policit të lagjes”

Flaka
Botuar nga Flaka 12 Prill, 2024 18:26

Eurothink: Që të ndjehen më të sigurtë, qytetarët e Maqedonisë kërkojnë rikthimin e “policit të lagjes”

Është rritur besimi te policia, por nuk neglizhohen edhe pakënaqësitë e qytetarëve gjatë pajisjes me dokumente personale në Maqedoninë e Veriut. Kështu thotë hulumtimi i organizatës “Eurothink“, “Perceptimet dhe qëndrimet e qytetarëve për punën e policisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut”. Më shumë se gjysma e qytetarëve mendojnë se policia nuk është e pranishme sa duhet në rrethin ku jetojnë dhe kërkojnë “policë të lagjes”. Gjithashtu, sipas hulumtimit, Armata e Republikës së Maqedonisë së Veriut është e para në listë në matjen e besueshmërisë, ndërkaq mungon besueshmëria në sistemin gjyqësor, transmeton Portalb.mk.

Prania e forcave të rendit rrit ndjenjën e sigurisë te qytetarët, thotë hulumtimi në fjalë. Sipas të njejtit, gjysma e qytetarëve të vendit mendojnë se policia nuk është e pranishme sa duhet në rrethin ku jetojnë, përkatësisht më pak sesa është e nevojshme. Ata kërkojnë të shtohet numri i policëve duke pasur parasysh shtimin e vjedhjeve të rënda dhe fillimin e sezonit turistik, sepse sipas tyre, patrullat e rregullta mund të parandalojnë krimet dhe eksperiencat e tyre të padëshiruara.

“Më shumë se gjysma e të anketuarve apo 58 përqind mendojnë se mungon prania e policisë në lagjet ku jetojnë. Hulumtimi ynë nxjerr në pah se rreth 56 përqind e qytetarëve kërkojnë rritje të patrullave policore apo rikthimin e “policit të lagjes”. Siguria që ofrojnë ata rrit edhe besueshmërinë tek etnitë tjera, madje 49,3 përqind e të anketuarve shqiptarë dhe 50,3 përqind e etnive tjera vlerësojnë se policia kryen detyrat në mënyrë profesionale, ndaj prania e tyre është e domosdoshme” thuhet në hulumtim.

Sipas përfaqësuesve të “Eurothink”, një nga arsyet e humbjes së besimit të qytetarëve ndaj policisë është procesi kaotik i pajisjes së tyre me dokumente personale, posaçërisht ata të identifikimit dhe udhëtimit.

Qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut edhe më tej vlerësojnë se ministria e Punëve të Brendshme dhe ministria e Drejtësisë janë peng e interesave qeveritare ose partiake. Vërehet rritje në pakënaqësitë që hasen gjatë bashkëpunimit të qytetarëve me organet e rendit.

“Gjatë hulumtimit vërejmë se aspekti më pak i vlerësuar është pavarësia në kryerjen e detyrave të policisë, dhe këtë vit besueshmëria e të anketuarve është vetëm 12 përqind. Faktorët që kanë çuar deri te ulja e besimit janë partitë politike dhe interesat e bizneseve. ” thuhet në hulumtim.

Për sa i përket njohurive dhe kontaktit me mekanizmat për kontrollin e punës së policisë, hulumtimi ka treguar se gati 9% e të anketuarve janë ankuar në organet e kontrollit të brendshëm të policisë në vitin 2024 me qëllim shqyrtimin e rastit të tyre, që është një rritje e ndjeshme krahasuar me vitin 2022 kur kjo përqindje ishte 2.6%. Prej tyre, 6% kanë shprehur mendimin se kontrolli i brendshëm në polici kontribuon në uljen e korrupsionit dhe joprofesionalizmit në radhët e policisë, që është përqindje më e lartë se ata që nuk kanë pasur një përshtypje të tillë – 2.4%. Kjo tregon progres të dukshëm pozitiv si në shkallën e ndërgjegjësimit dhe përdorimit të mekanizmit të kontrollit të brendshëm te qytetarët, ashtu edhe në kënaqësinë e atyre që e kanë përjetuar procesin.

Ndërgjegjësimi për mekanizmat e kontrollit të jashtëm mbi punën e policisë (Mekanizmi i Kontrollit Civil pranë Avokatit të Popullit dhe Departamentit për ndjekjen e veprave penale të kryera nga persona me kompetenca policore dhe nga pjesëtarë të policisë së burgjeve në Prokurorinë Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsioni) ekziston në 17%, që është një rritje nga viti 2022 kur ishte 13.2%. Shumica e të anketuarve besojnë se kontrolli i jashtëm mbi policinë kontribuon në uljen e korrupsionit dhe joprofesionalizmit në organizatë – 10%, kundrejt 5% që nuk mendojnë kështu, për një diferencë prej 7.2% dhe 4.1% përkatësisht në vitin 2022.

Sipas hulumtimit, sa i përket besueshmërisë në institucionet tjera të vendit, edhe këtë vit qytetarët kanë besim më të lartë tek ushtria, me 44%. Pasojnë institucionet fetare me 35%, pastaj presidenti i Maqedonisë së Veriut, me 24%. Prokuroria dhe drejtësia janë sërish më pak të vlerësuarat, edhe pse këtë vit ka pasur një kthim të lehtë në besimin ndaj tyre. Në vitin 2022, 7% i besonin Prokurorisë dhe në vitin 2024, kjo përqindje ishte 9%, gjashtë përqind kishin besim te gjyqësori dhe tani kjo përqindje është 9%.

Hulumtimi “Perceptimet dhe qëndrimet e qytetarëve për punën e policisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut” u realizua nga “Eurothink” në bashkëpunim me National Endowment for Democracy, ekzaminimi i mendimit publik u realizua nga “Brima” – Shkup në periudhë mes 31 janarit dhe 14 shkurtit.

Kujtojmë se hulumtimi anketues i “EUROMETAR 2023”, i cili u zbatua gjatë shtatorit 2023, tregoi një e treta e popullatës besoj që Maqedonia e Veriut nuk do të anëtarësohet kurrë në Bashkimin Evropian, ndërkaq shqiptarët dhe maqedonasit janë të ndarë për çështjen më të rëndësishme të vendit – eurointegrimin. 90% e shqiptarëve kanë deklaruar se anëtarësimi në BE është punë e mirë, ndërkaq maqedonasit vetëm 39,50%.

Flaka
Botuar nga Flaka 12 Prill, 2024 18:26
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Marrja e paautorizuar e teksteve dhe videove me të drejtë autoriale ose ndonjë përmbajtje të ngjashme pa pëlqimin paraprak me shkrim të Flaka Media do të konsiderohet shkelje e të drejtave autoriale dhe për këtë Flaka e ruan të drejtën të kërkojë kompensim përkatës monetar.Mosrespektimi dhe abuzimi i të drejtave autoriale dhe të drejtave simotër dënohet me ligj.Çdo marrje e paautorizuar, shfrytëzim, përdorim apo publikim i tekstit, fotografitë ose videot apo çfarëdo përmbajtje tjetër e ngjashme që paraqet pronësi të Flaka Media, pa pëlqim paraprak me shkrim nga redaksua, ndalohet rreptësisht dhe për të njëjtën paguhet kompensim përkatës financiar, për çka pronari ka të drejtë të nis procedurë përkatëse.Në rast të marrjes së teksteve autoriale dhe videove apo çfarëdo përmbajtje tjetër, në mënyrë të obligueshme nevojitet pëlqim paraprak nga Flaka Media dhe vendosje të linkut që do të çojë deri në web faqen e Flaka Media.