Zero afrime në merkato, çudit trajneri i Liverpulit: Nuk kemi gjetur asnjë lojtar

Drin Zenku
Botuar nga Drin Zenku 6 Gusht, 2024 12:58

Zero afrime në merkato, çudit trajneri i Liverpulit: Nuk kemi gjetur asnjë lojtar

Arne Slot ka përsëritur se nuk është aq e lehtë të gjesh një lojtar mjaftueshëm të mirë për ta transferuar te Liverpuli. Por trajneri holandez këmbëngul se klubi po punon shumë për t’i dhënë fund rekordit të tyre si i vetmi klub në Premier Ligë që ende nuk ka bërë një transferim në këtë merkato vere.

Skuadra e Liverpulit shkëlqeu në turneun e tyre para-sezonal me tri ndeshje në Amerikë, duke mposhtur Real Betisin, Arsenalin dhe Mançester Junajtidin, por tifozët në shtëpi janë ankuar për mungesën e aktivitetit transferues këtë verë. Ish-trajneri i Fejnordit thotë se ai dhe drejtori i ri sportiv, Riçard Hjuxhs, po synojnë cilësinë mbi sasinë.

TRANSFERIMET – Duke folur me gazetarët britanikë në Karolinën e Jugut, Slot u bombardua me pyetje mbi transferimet dhe bisedimet për problematikat e pazgjidhura të kontratave. Ai tha: “Vërej se jeni të fokusuar shumë në nënshkrimet e reja! Jam i fokusuar te turneu, si luajtëm, çfarë duhet të përmirësojmë dhe çfarë bëmë mirë. Siç thashë, steka është shumë e lartë për nënshkrimet e reja, sepse ne kemi shumë lojtarë të mirë. Nuk është aq e lehtë që fillimisht të gjesh një lojtar që i plotëson ato standarde dhe më pas të pyesësh: ‘A është ai i disponueshëm?’

Pastaj ne duhet të gjejmë një marrëveshje me ta, kështu që nuk është gjithmonë e lehtë të gjejmë një lojtar që mund të na ndihmojë, por Riçard po punon shumë për këtë dhe le të shohim se çfarë do të vijë nga kjo. Nëse ai (Hjuxhs) nuk është këtu, ne jemi në telefon shumë herë, por siç thashë, fokusi im kryesor ishte të punoja me ekipin dhe t’i përgatisja në mënyrën më të mirë të mundshme për ndeshjen e parë të Premier Ligës. Përveç kësaj, ai po punon për gjëra dhe më mban të përditësuar çdo herë”.

NUMRI 6 – Një rol me të cilin Liverpuli mund të ketë një problem është pozicioni i numrit 6, i cili ka qenë një problem për më shumë se një vit që nga largimi i Fabinjos dhe Xhordan Hendersonit. Uataru Endo erdhi, por, duke gjykuar nga para-sezoni, nuk duket një figurë shumë e dashur nga Slot dhe klubi ka pasur interes për ta shitur. “Rajan (Gravenberk) bëri shumë mirë në atë pozicion (kundër Junajtid) dhe ne kemi edhe opsione të tjera. Mënyra më e mirë për ta gjykuar është kur i kemi kthyer të gjithë lojtarët dhe ende nuk i kemi këtu. Por një klub si Liverpuli i mban gjithmonë sytë hapur për të parë se çfarë është në dispozicion.

Flasim për lojtarët që mund të forcojnë skuadrën dhe kjo është ajo që ne, Riçard kryesisht por edhe unë, po kërkojmë të bëjmë. Por nuk bëhet fjalë për një pozicion në veçanti. Ne vlerësojmë vazhdimisht skuadrën se ku mund të bëjmë diçka dhe çfarë kemi. Ne kemi një platformë të mirë për të ndërtuar dhe jo vetëm për shkak të këtij turneu. Jyrgen e la këtë skuadër në një vend shumë të mirë, mendoj se e thashë këtë më parë. Tani na takon ne të vazhdojmë të performojmë siç bëri Liverpuli për kaq shumë vite”.

LARGIMET – “Reds”-at gjithashtu duhet të marrin vendime të mëdha mbi largimet. Xho Gomez po peshon të ardhmen e tij pas interesimit nga Njukasëlli më herët në merkato, ndërsa ai u ofrua në një marrëveshje të dyfishtë që do të kishte parë Entoni Gordonin të transferohej në “Anfield”. Disa yje të tjerë të cilët nuk luajnë, si Fabio Karvajo, Kelleher, Sep van den Berg dhe Tajler Morton, mund të largohen dhe Liverpuli do të preferonte një transferim përfundimtar. Të rinjtë si Ben Dok dhe Bobi Klark po tërheqin interes masiv.

I pyetur nëse ai ka një vendim për lojtarët që mund të largohen, Slot nuk ra dakord se “reds”-at ishin të mbipopulluar, por tha për Gomezin: “Ai është një nga lojtarët e skuadrës sonë kështu që është e njëjta gjë me Trent (Aleksander-Arnold), Virxhil (Van Dajk) dhe të gjithë të tjerët. Më duhet t’i shoh. Dhe të gjithë duhet të jenë të standardeve të larta sepse ndoshta kanë parë që lojtarët aktualë po bëjnë mirë. Kështu që unë shpresoj që tetë ose nëntë që vijnë të martën të jenë gati për të konkurruar me ta”.

RINOVIMET – Ai u pyet gjithashtu për çështjet kontraktuale me kapitenin Virxhil van Dajk, Mohamed Salah dhe Trent AleksanderArnold, të gjithë me vetëm një vit të mbetur në marrëveshjet e tyre. Slot ende nuk ka folur me Arnoldin për këtë çështje. “Ne nuk folëm për të ardhmen e tij”, shtoi Slot.

“Ne folëm vetëm për mënyrën se si doja që ai të luante dhe se si ai mund të përshtatej në atë stil. Ai ishte i fokusuar në Europian në atë moment që folëm dhe pashë disa video nga njerëzit që më tregonin se ai duket vërtet në formë të mirë. Mezi pres ta shoh atë të stërvitet. Por edhe disa të tjerë dolën mjaft mirë (në turne), kështu që është interesante të shihet nëse të tjerët kthehen dhe niveli rritet edhe më shumë. Siç thashë, ne pësuam shumë raste kundër Junajtid”.

Drin Zenku
Botuar nga Drin Zenku 6 Gusht, 2024 12:58