Transferimi me forcë të civilëve nga veriu i Gazës, OKB paralajmëron Izraelin: Do të përbënte krim lufte

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 17 Tetor, 2024 23:01

Transferimi me forcë të civilëve nga veriu i Gazës, OKB paralajmëron Izraelin: Do të përbënte krim lufte

Shefi për të drejtat e njeriut në Kombet e Bashkuara, Volker Turk, paralajmëroi Izraelin se çdo “transferim me forcë e në shkallë të gjerë” i civilëve nga veriu i Gazës, do të përbënte krim lufte nëse nuk bëhet për “arsye të domosdoshme ushtarake”.

“Urdhrat për evakuim që lëshohen nga Izraeli duket se janë të dizajnuara që ta shkëpusin krejtësisht Gazën veriore nga pjesa tjetër e territorit”, tha Turk gjatë një konference për media në selinë e OKB-së në Nju Jork.

“Përderisa bombardimet dhe sulmet e tjera po vazhdojnë, ka shqetësime serioze për një transferimin me forcë e në shkallë të gjerë të civilëve që nuk përmbush kërkesat sipas ligjit ndërkombëtar për evakuimin mbi arsye të domosdoshme ushtarake”, tha ai.

“Transferimi me forcë i një pjese të madhe të popullsisë së Gazës veriore do të përbënte krim lufte”.

Izraeli po vazhdon ofensivën kundër Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – në Gazë, që kur ky grup kreu sulm ndaj Izraelit më 7 tetor të vitit të kaluar.

Gjatë sulmit të Hamasit në Izrael u vranë afër 1.200 persona dhe u rrëmbyen afër 250 të tjerë.

Ndërkaq, si pasojë e ofensivës hakmarrëse izraelite në Gazë janë vrarë më shumë se 42.000 persona.

Ushtria izraelite ka intensifikuar operacionet e saj në dhjetë ditët e fundit në veri të Gazës, ku qindra mijëra persona janë bllokuar në mes të luftimeve. Në këtë pjesë po ashtu është vështirësuar dërgimi i ndihmave humanitare.

“I bëj thirrje Izraelit që menjëherë të lehtësojë dërgimin e ndihmave humanitare, të cilat janë të nevojshme që të arrijnë në të gjitha pjesët e Gazës”, tha Turk.

Izraeli ka thënë se synon ta shkatërrojë Hamasin, i cili qeverisë me Gazën. Më 17 tetor, autoritetet izraelite konfirmuan se gjatë një operacioni ushtarak në Gazë kanë vrarë liderin e Hamasit, Yahya Sinwar. Ai është lideri i dytë i grupit që vritet nga Izraeli në më pak se tre muaj.

/rel

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 17 Tetor, 2024 23:01
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Marrja e paautorizuar e teksteve dhe videove me të drejtë autoriale ose ndonjë përmbajtje të ngjashme pa pëlqimin paraprak me shkrim të Flaka Media do të konsiderohet shkelje e të drejtave autoriale dhe për këtë Flaka e ruan të drejtën të kërkojë kompensim përkatës monetar.Mosrespektimi dhe abuzimi i të drejtave autoriale dhe të drejtave simotër dënohet me ligj.Çdo marrje e paautorizuar, shfrytëzim, përdorim apo publikim i tekstit, fotografitë ose videot apo çfarëdo përmbajtje tjetër e ngjashme që paraqet pronësi të Flaka Media, pa pëlqim paraprak me shkrim nga redaksua, ndalohet rreptësisht dhe për të njëjtën paguhet kompensim përkatës financiar, për çka pronari ka të drejtë të nis procedurë përkatëse.Në rast të marrjes së teksteve autoriale dhe videove apo çfarëdo përmbajtje tjetër, në mënyrë të obligueshme nevojitet pëlqim paraprak nga Flaka Media dhe vendosje të linkut që do të çojë deri në web faqen e Flaka Media.