Data 11, Mexhiti: Gjuha shqipe është e pacenueshme, do ta avancojmë përdorimin e saj

Flaka
Botuar nga Flaka 9 Dhjetor, 2024 17:20

Data 11, Mexhiti: Gjuha shqipe është e pacenueshme, do ta avancojmë përdorimin e saj

Në një deklaratë për Top Channel, zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, ritheksoi përkushtimin e Qeverisë ndaj ruajtjes dhe avancimit të përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe.

“Ne jemi garantues që Ligji për gjuhët nuk do të degradohet dhe nuk do të ndodhë asgjë më 11 dhjetor në Gjykatën Kushtetuese,” u shpreh ai.

Mexhiti nënvizoi se përpjekjet për të avancuar gjuhën shqipe janë të pandërprera dhe të sinqerta, duke i ndarë ato nga interesat personale dhe financiare. “Gjuha shqipe është më e shtrenjtë se kolltuqet tona. Ne nuk bëjmë kompromise sepse nuk e kemi lidhur këtë çështje as me biznesin e kazinos, as me biznese të tjera,” shtoi ai, duke kritikuar ata që për vite me radhë kishin mundësi të zgjidhnin këto çështje, por tani pretendojnë të jenë mbrojtës të saj.

Zëvendëskryeministri theksoi se nuk do të bien pre e manipulimeve dhe spekulimeve. Ai gjithashtu bëri të qartë se Qeveria është duke avancuar të drejtat e shqiptarëve, duke përmendur iniciativat për përfaqësim të drejtë dhe adekuat.

“Shqiptarët nuk kanë pse të mërziten, sepse të drejtat e tyre po avancohen dhe VLEN-i mbetet garantues i çështjes shqiptare,” përfundoi ai.

Flaka
Botuar nga Flaka 9 Dhjetor, 2024 17:20