Pyjet më të veçanta në botë
Linfë vitale e Universit dhe kapaciteti rigjenerues i natyrës. Pyjet janë mushkëria e planetit, përmbajnë në brendësi të tyre 80% të biodiversitetit me pemët, bimë, insekte, zogj, kafshë, e njerëz që bashkëjetojnë në ekosisteme komplekse, duke mbuluar 1/3 e siperfaqes së Planetit Tokë.
Gjysma e tyre janë ende te paprekura, dhe një pjesë e madhe janë primare, pa gjurmë të aktivitetit human dhe thesar për biodiveristetin. Së bashku me oqeanet, përfaqësojnë linjë e parë mbrojtëse të jetës, të ndryshimeve klimatike dhe të zhdukjes së gjallesave të ndryshme, bimë apo kafshë.
Por jo vetëm, pemët, janë vende të mbuluar me atmosferë magjike, shpesh të veshur me mite e legjenda, falë pamjes sugjestionuese dhe misterioze. Që në fëmijërine e hershme ne mendjen njerëzore nguliten përrallat, e bashkë me to pyjet, që në imagjinatën tonë popullohen edhe nga krijesa te mbinatyrshme, të bukura, frymëzuese, jo rrallë edhe shtëpi e krijesave hibride e të frikshme.
Që nga antikiteti, pyjet me pemë të larta, kanë simbolika nga më të ndryshme, me dritën e diellit që depërton, e merr konotacione pozitive përrallore e magjike, të bukura e egra njëkohësisht.
Pyjet shtrihen kudo pothuajse në tokë, dhe për nga bukuria, bëjne garë që mund të etiketohet edhe pa fitues, pasi janë thjesht të magjishëm, secili me veçantitë e tij.
Në listën e disave më interesante e të bukur, mund të rendisim skenarë nga më të ndryshmit.
1. Një ndër ta është Pylli Otzarreta në Spanjë, që gjendet në vendet bashkë në Parkun Natyror Gorbea, ku pemët e lashta, bashkë me atmosferën mjegulluese, i japin këtij pylli një hije vërtetë misterioze.
Pylli Otzarreta në Spanjë
2. Ndër më sugjestionueset në botë, është Pylli i Zhytur në Liqenin Kaindy në Kazakistan. Liqeni ndodhet rreth 2 mijë metra mbi nivelin e detit dhe pishat e kuqe në këto ujëra të kristalta, krijojnë një efekt unik dhe surreal.
Pylli i Zhytur në Liqenin Kaindy në Kazakistan
3. Një tjetër pyll, që për veçantinë e tij duket i pabesueshëm, është Pylli i Pikturuar në Maui, Hawai. I mbushur me eukaliptë Ylber, një specie shumë e veçantë që gjendet vetëm në këtë ishull të Hawait. Sikurse sugjerohet edhe nga emri, lëvorja e kësaj peme bie gjatë stinës së verës, duke bërë që trungu të marrë ngjyra të shumta, me sfumatura që variojnë nga e kuqja, tek e verdha, e gjelbër dhe ngjyrë kafe. Kur pemët lagen nga reshjet e shiut, gjithçka duke edhe më brilante dhe e pabesueshme për nga bukuria dhe larmia e ngjyrave.
Pylli i Pikturuar në Maui, Hawai
4. Format janë nga më të ndryshmet, dhe një i tillë është Pylli Vallëzues, që gjendet mes Lituanisë dhe Rusisë. Njihet edhe me emrin Pylli i Magjepsur, i mbushur me pisha e bredha që nuk rriten drejt, por marrin forma të ndryshme dhe të çuditshme, saqë trungjet duken sikur vallëzojnë. Qetësia që mbulon këtë pyll është hipnotizuese dhe mistike njëkohësisht, dhe ende nga ana shkencore nuk ka një argument që të shpjegojë se cila është arsyeja e formave të pemëve që e popullojnë pyllin e magjepsur. Të shumta janë legjendat, mitet e fantazitë e lidhura me këtë vend nga komuniteti i vogël ortodoks që jeton në afërsi të tij.
Pylli Vallëzues, që gjendet mes Lituanisë dhe Rusisë
5. Ndërsa tjetër pamje ka Pylli me Gjemba, në Madagaskar, shtëpi e qenieve të çuditshme dhe të mrekullueshme, duke e bërë një ekosistem ndër më të pazakontat. Ky pyll është i veçantë për bimët të ngjashme me kaktuset, edhe se ndryshe nga to, gjembat lindin për të mbrojtur gjethet.
Pylli me Gjemba, në Madagaskar
6. Caddo Lake në Louisina të Texasit është një tjetër panoramë e mrekullueshme. Shtrihet në një siperfaqe prej 25.400 akra dhe është zonë e mbrojtur. Caddo Lake është pylli më i madh i qiparisëve në botë, dhe prania e ujërave të liqenit i japin këtij pylli një pamje drithëruese e përrallore njëkohësisht. Emrin e ka marrë nga fiset indigjene autoktone që jetonin dikur.
Caddo Lake në Louisina të Texasit
7. Dhe padyshim Japonia me veçantitë e saj nuk mund të mungonte, ku Pylli i Bambuve Arashimaya Sagano, është simbol i freskisë, i pastërtisë, i erës, i qetësisë, i dritës, i rregullit dhe gjelbërimit. Fillimisht ishte një vend që shërbente si zonë qetësie për familjet, më pas rezidencat u tranformuan në tempuj e manastire budiste, dhe shtigjet e këtij pylli me pemë bambu të lashta, duket sikur pëshpërisin kur lëkunden nga flladi që i përkëdhel.
Pylli i Bambuve Arashimaya Sagano në Japoni
Këto janë ndër pyjet më të veçantë e te bukur në botë, e për të kujtuar edhe njëherë që natyra na dhuron spektakle të jashtëzakonshme, që duhet ti respektojmë e ti mbrojmë.