Ndërhyrje e fortë nga Bonucci në Old Trafford – Houghton rrëzohet në tokë
Një episod i pazakontë ka bërë xhiron e rrjetit nga një ndeshje bamirësie në stadiumin “Old Trafford” të Manchesterit. Leonardo Bonucci, ish-mbrojtësi i njohur italian, harroi për një moment që nuk ishte në një ndeshje zyrtare dhe realizoi një ndërhyrje të ashpër ndaj kapitenes së Anglisë, Steph Houghton.
Gjatë një aksioni ku topi po hynte në zonë, Bonucci dhe Houghton u nisën njëkohësisht drejt tij, por italiani hyri “zhag” me një slajd karakteristik dhe fitoi topin, duke rrëzuar futbollisten në mënyrë të vrazhdë. Reagimi i publikut ishte i menjëhershëm – një pjesë qeshi dhe duartrokiti, ndërsa të tjerë u shprehën të habitur, duke pasur parasysh se ishte një ndeshje bamirësie dhe kundërshtarja një femër.
Pamjet e këtij momenti janë bërë virale në rrjetet sociale, ndërsa komentet kanë qenë të ndara: disa e përgëzuan Bonuccin për “profesionalizmin e tepruar”, të tjerë e kritikuan për mungesë ndjeshmërie.
Pavarësisht gjithçkaje, Houghton u ngrit shpejt dhe e mori situatën me sportivitet, ashtu si edhe Bonucci, i cili shpjegoi me buzëqeshje se “kështu është zakoni në mbrojtje”.
Flaka














