Ligji për Përfaqësim, kur ekspertët flasin dhe politika nuk dëgjon – Pse u injoruan vërejtjet e Maksuti?
Lidhur me Propozim-Ligjin për përfaqësim adekuat dhe të drejtë në sektorin publik në RMV
(në mbështetje dhe elaborim të vërejtjeve të Prof. Mersim Maksutit)
Duke analizuar me vëmendje përmbajtjen e Propozim-Ligjit për përfaqësim adekuat dhe të drejtë, si dhe vërejtjet e argumentuara të profesor Mersim Maksutit, anëtar i grupit punues për këtë ligj, ndjej nevojën të ndaj qëndrimin tim profesional, në cilësinë e një qytetari të angazhuar në çështjet e barazisë dhe drejtësisë institucionale.
1. Mungesa e garancisë për zbatim efektiv të Ligjit në praktikë
Vërejtja kryesore është se Propozim-Ligji, pavarësisht synimit të tij afirmativ për përfaqësim të drejtë dhe adekuat të qytetarëve nga të gjitha bashkësitë etnike, nuk garanton zbatimin real dhe të detyrueshëm të tij në praktikë. Pesha e zbatimit është lënë mbi një Trup Koordinativ pranë Qeverisë së RMV-së, i cili:
- Nuk ka kompetencë mbikëqyrëse ndaj institucioneve për zbatimin e ligjit;
- Nuk ka të drejtë të propozojë masa konkrete për përgjegjësi politike ndaj zyrtarëve që nuk e zbatojnë këtë ligj;
- Nuk drejtohet nga zëvendëskryeministri i parë, por vetëm nga “njëri nga zëvendëskryeministrat”, duke mos reflektuar peshën që ka ky ligj në kontekstin politik të barazisë ndëretnike.
Në këto kushte, zbatimi mbetet çështje vullneti politik, e jo detyrim ligjor, gjë që e relativizon fuqinë normuese të ligjit dhe cenon tërësisht efektin e tij juridik dhe institucional.
2. Kushtëzimi i përfaqësimit me kritere teknike cenon parimin kushtetues
Propozim-Ligji, ndonëse shpall për qëllim përfaqësimin e drejtë dhe adekuat të qytetarëve nga të gjitha bashkësitë etnike, e kushtëzon këtë të drejtë me kritere si profesionalizmi, kompetenca, barazia dhe inkluziviteti.
Ky formulim është problematik për disa arsye:
- Këto kritere mund të përdoren si alibi për të përjashtuar pjesëtarët e bashkësive më pak të përfaqësuara nga punësimi apo avancimi në sektorin publik;
- Ky qasje është në kundërshtim me Amendamentin VI të Kushtetutës së RMV-së, i cili garanton në mënyrë të veçantë përfaqësimin e drejtë dhe adekuat si e drejtë kolektive, jo vetëm si çështje e të drejtave individuale;
- Në raste të tilla, e drejta kolektive duhet të ketë përparësi ndaj të drejtës individuale, sepse buron nga një realitet historik i diskriminimit strukturor dhe është pjesë e rendit kushtetues të RMV-së.
3. Keqinterpretimi dhe ndikimi i gabuar i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese
Një tjetër vërejtje me bazë është se ky Propozim-Ligj është dukshëm i ndikuar nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese që rrëzoi detyrimin për deklarim të përkatësisë etnike në konkurset publike.
Megjithatë:
- Ky vendim nuk ndalon legjislatorin që me ligj të rregullojë mënyra tjera të realizimit të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat;
- Gjykata ndalon vetëm detyrimin për vetëdeklarim etnik, jo vetë parimin e kuotave etnike;
- Vendimi nuk është pengesë për zbatimin e parimit të “pabarazisë në pabarazi” – një parim i njohur në të drejtën ndërkombëtare dhe doktrinën juridike, për të kompensuar pabarazitë historike dhe strukturore.
Në këtë kontekst, është e rrezikshme të abuzohet me interpretimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese për të zbehur kompetencën ligjvënëse të Kuvendit. Vendimet e Gjykatës nuk mund të shërbejnë si pretekst për të deleguar sovranitetin legjislativ tek gjyqësori.
4. Mungesa e mekanizmave të detyrueshëm dhe mbrojtjes juridike
Ligji nuk parashikon as:
- Sanksione për zyrtarët publikë që nuk e zbatojnë ligjin;
- Procedura të mbrojtjes gjyqësore për qytetarët, të cilëve u mohohet përfaqësimi për shkak të përkatësisë etnike.
Kjo e lë ligjin në nivel deklarativ, pa forcë detyruese. Në një shtet si RMV-ja, ku ligjshmëria shpesh funksionon në mënyrë selektive, mungesa e këtyre instrumenteve është e barasvlershme me pamundësinë reale për zbatim.
Në mungesë të:
- Sanksioneve juridike për moszbatim;
- Përgjegjësisë politike të bartësve të funksioneve publike;
- Detyrimeve konkrete për institucionet dhe
- Kornizës së qartë të mbrojtjes juridike dhe gjyqësore,
Propozim-Ligji në fjalë nuk do të arrijë të sjellë as ndryshime reale, as barazi funksionale në përfaqësimin e qytetarëve nga të gjitha bashkësitë etnike.
Prandaj, kërkohet një rishikim i thellë i përmbajtjes së tij, për të reflektuar qartë kushtetutshmërinë, efektivitetin juridik dhe vullnetin e sinqertë politik për të zbatuar barazinë në praktikë, e jo vetëm në retorikë.
(Opinion i bazuar në vërejtjet e Prof. Mersim Maksuti – anëtar i grupit punues për Propozim-Ligjin për përfaqësim adekuat dhe të drejtë)
Pjesa 2 – Vazhdon….
Pjesa 1: Pse nuk i besoj Karakamishevës – dhe as ligjit të saj për përfaqësim të drejtë














