28 vjet nga 9 Korriku i përgjakshëm në Gostivar – Sa larg, aq afër!

Flaka
Botuar nga Flaka 9 Korrik, 2025 13:48 Përditësuar

28 vjet nga 9 Korriku i përgjakshëm në Gostivar – Sa larg, aq afër!

Ishte 9 Korriku i vitit 1997 kur Gostivari u vu në qendër të vëmendjes së opinionit vendas dhe ndërkombëtar si asnjëherë më parë, shkruan Flaka. Qytetarët shqiptarë të Gostivarit dhe të gjithë Maqedonisë, pas plot 28 vitesh, përkujtojnë ngjarjet e përgjakshme të 9 Korrikut – një datë sublime në mbrojtje të flamurit kombëtar.

Pikërisht sot, 28 vite më parë, shumë qytetarë shqiptarë të Gostivarit u mblodhën përpara Kuvendit Komunal për të protestuar në mënyrë paqësore kundër heqjes së flamurit shqiptar, i cili ishte larguar dhunshëm gjatë natës. Kjo sfidë e shqiptarëve u shoqërua me dhunë të papërmbajtur shtetërore – forcë brutale e policisë dhe ushtrisë maqedonase ndaj popullatës shqiptare.

Shkak i kësaj dhune të shfrenuar ishte vendosja e flamurit kombëtar shqiptar përpara ndërtesave komunale në Gostivar, Tetovë dhe në komuna të tjera me shumicë shqiptare. Me një procedurë ligjore të rregullt të Këshillit Komunal, më 27 janar 1997, flamuri shqiptar u ngrit para selisë së Komunës së Gostivarit. Por ky vendim shkaktoi reagim të menjëhershëm nga Qeveria e Maqedonisë dhe Gjykata Kushtetuese, e cila më 21 maj 1997 e konsideroi aktin si kërcënim për sovranitetin e shtetit dhe kërkoi heqjen e flamurit.

Më 8 korrik të vitit 1997, në orët e vona të natës, Kuvendi i Maqedonisë miratoi një ligj që kufizonte përdorimin e flamujve të komuniteteve jomaqedonase, duke lejuar vetëm përdorimin privat dhe kulturor. Ky ligj u zbatua menjëherë, pa respektuar afatin e hyrjes në fuqi. Flamuri shqiptar u hoq nga forcat speciale të policisë në orën 1:30 të mëngjesit të 9 korrikut. Dy orë më pas, policia arrestoi rreth 30 veprimtarë shqiptarë, përfshirë kryetarin e atëhershëm të Komunës së Gostivarit, Rufi Osmani, kryetarin aktual Nevzat Bejta, kryesuesin e Këshillit Komunal Refik Dauti dhe personalitete të tjera.

Pasojat e kësaj ngjarjeje ishin tragjike: u vranë tre shqiptarë – Nazmi Saliu, Shpend Iseini dhe Milaim Dauti, u plagosën mbi 100 persona dhe shumë të tjerë u keqtrajtuan brutalisht vetëm pse ishin shqiptarë. Më vonë, nga keqtrajtimet çnjerëzore të policisë humbën jetën edhe qytetarë të tjerë shqiptarë.

Pas ngjarjeve të 9 Korrikut, për të “justifikuar” dhunën e ushtruar, u organizua një proces gjyqësor i njohur si “Procesi i Gostivarit”. Më 16 shtator 1997, Gjykata Themelore e Gostivarit shpalli fajtor kryetarin e Komunës, Rufi Osmani, duke e dënuar fillimisht me 14 vite burg, të cilat në instancë të dytë u zvogëluan në 7 vite. Pas miratimit të Ligjit për Amnisti në vitin 1999, ai u lirua nga burgu pasi vuajti afërsisht 2 vite.

Edhe në Tetovë ndodhën zhvillime të ngjashme. Përveç heqjes së flamurit, forcat policore shkatërruan zyrat e komunës dhe pajisjet që ndodheshin aty. Udhëheqësit komunalë të Gostivarit dhe Tetovës për gjashtë muaj përballuan një sfidë të pabarabartë me pushtetin qendror, në përpjekje për të realizuar të drejtën për përdorimin e flamurit kombëtar.

Sot, pas 28 vitesh, përpara godinës së Komunës së Gostivarit valëvitet sërish flamuri shqiptar. Por kujtesa e 9 Korrikut mbetet një plagë e hapur në historinë e të drejtave dhe lirisë së shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Flaka

Flaka
Botuar nga Flaka 9 Korrik, 2025 13:48 Përditësuar
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Marrja e paautorizuar e teksteve dhe videove me të drejtë autoriale ose ndonjë përmbajtje të ngjashme pa pëlqimin paraprak me shkrim të Flaka Media do të konsiderohet shkelje e të drejtave autoriale dhe për këtë Flaka e ruan të drejtën të kërkojë kompensim përkatës monetar.Mosrespektimi dhe abuzimi i të drejtave autoriale dhe të drejtave simotër dënohet me ligj.Çdo marrje e paautorizuar, shfrytëzim, përdorim apo publikim i tekstit, fotografitë ose videot apo çfarëdo përmbajtje tjetër e ngjashme që paraqet pronësi të Flaka Media, pa pëlqim paraprak me shkrim nga redaksua, ndalohet rreptësisht dhe për të njëjtën paguhet kompensim përkatës financiar, për çka pronari ka të drejtë të nis procedurë përkatëse.Në rast të marrjes së teksteve autoriale dhe videove apo çfarëdo përmbajtje tjetër, në mënyrë të obligueshme nevojitet pëlqim paraprak nga Flaka Media dhe vendosje të linkut që do të çojë deri në web faqen e Flaka Media.