Flaka thumbon: “Bota Serbe” bën kerdi – Krejt bota e kuptoi, veç Mickoski jo!

Flaka
Botuar nga Flaka 10 Korrik, 2025 08:51

Flaka thumbon: “Bota Serbe” bën kerdi – Krejt bota e kuptoi, veç Mickoski jo!

Parlamenti Evropian e kuptoi. Krejt bota e kuptoi. Veç Mickoski s’di që “Bota Serbe” po bën kerdi në Maqedoninë e Veriut.

Në një moment historik të rrallë kur Parlamenti Evropian vendosi të flasë me zë të lartë, u kuptua qartë se Maqedonia e Veriut është më shumë se një vend në tranzicion – është fushëbetejë për dezinformata, ndikime të huaja dhe për projekte që duken si seriale Netflix-i por pa fund të lumtur.

Në një rezolutë që vlen më shumë se një shkundje nga gjumi, eurodeputetët shprehin shqetësim të thellë për ndikimin serbo-hungarez në favor të Rusisë dhe Kinës, duke përmendur edhe projektin famëkeq “Bota Serbe”, që qenka më shumë një operacion sesa një ide.

Gjithkush e kuptoi – në Bruksel, në Berlin, në Washington, ndoshta edhe në Mars – përveç një njeriu: Hristijan Mickoski, i cili ende mendon se “Bota Serbe” është një lloj agjencie udhëtimesh ose ndonjë ekspozitë kulturore.

Sipas dokumentit evropian, projektet e VMRO-së për investime, infrastruktura dhe narrativa publike nuk i shërbejnë askujt tjetër përveç interesave të Beogradit, Budapestit dhe Moskës, dhe kjo tani nuk është më “teori konspirative” – është rezolutë zyrtare e Bashkimit Evropian.

Flitet për dezinformim të përmasave biblike, tabloide që funksionojnë si filiala të Kremlinit dhe gjysma e popullsisë që ndikohet nga lajmet fake. Dhe në këtë mes, qeveria hesht… ose voton me procedurë të përshpejtuar, sa herë që duhet të kalojë ndonjë ligj që shërben më shumë Serbinë sesa qytetarët e vet.

E ndërsa në Bruksel u përmendën edhe UDBA e KOS, arkiva të hapura dhe transparencë e domosdoshme, në Shkup ende bëhet fushatë me flamuj të përmbysur dhe sondazhe që i beson vetëm kompjuteri që i ka prodhu.

Pyetja e vetme që mbetet është kjo:
Nëse Parlamenti Evropian e kupton rrezikun, nëse edhe ariu polar në Arktik e kupton, a do ta kuptojë ndonjëherë edhe VLEN se kujt po i shërben?

Flaka
Botuar nga Flaka 10 Korrik, 2025 08:51
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Marrja e paautorizuar e teksteve dhe videove me të drejtë autoriale ose ndonjë përmbajtje të ngjashme pa pëlqimin paraprak me shkrim të Flaka Media do të konsiderohet shkelje e të drejtave autoriale dhe për këtë Flaka e ruan të drejtën të kërkojë kompensim përkatës monetar.Mosrespektimi dhe abuzimi i të drejtave autoriale dhe të drejtave simotër dënohet me ligj.Çdo marrje e paautorizuar, shfrytëzim, përdorim apo publikim i tekstit, fotografitë ose videot apo çfarëdo përmbajtje tjetër e ngjashme që paraqet pronësi të Flaka Media, pa pëlqim paraprak me shkrim nga redaksua, ndalohet rreptësisht dhe për të njëjtën paguhet kompensim përkatës financiar, për çka pronari ka të drejtë të nis procedurë përkatëse.Në rast të marrjes së teksteve autoriale dhe videove apo çfarëdo përmbajtje tjetër, në mënyrë të obligueshme nevojitet pëlqim paraprak nga Flaka Media dhe vendosje të linkut që do të çojë deri në web faqen e Flaka Media.