Valdet Xhaferi: Në Sërmnovë po ndodh diskriminim gjuhësor ndaj shqiptarëve
Kryetari i degës së BDI-së në Gostivar, Valdet Xhaferi, ka reaguar ashpër ndaj asaj që e quan padrejtësi të papranueshme në fshatin Sërmnovë të kësaj komune.
“Në fshatin Sërmnovë të komunës së Gostivarit, një vendbanim me 100% popullsi shqiptare, po ndodh një padrejtësi e papranueshme dhe diskriminuese ndaj qytetarëve shqiptarë, veçanërisht ndaj mërgimtarëve që çdo vit kthehen në vendlindje,” deklaroi Xhaferi.
Sipas tij, banorët e këtij fshati, në veçanti mërgimtarët që kanë nevojë për dokumente personale, po përballen me diskriminim gjuhësor.
“Konkretisht, dokumentet personale si çertifikatat e lindjes po lëshohen vetëm në gjuhën maqedonase duke përjashtuar krejtësisht gjuhën shqipe,” theksoi Xhaferi.
Ai i bëri thirrje institucioneve që të ndërhyjnë menjëherë për ta ndalur këtë praktikë të padrejtë, që, sipas tij, shkel të drejtat themelore të shqiptarëve në këtë zonë. Flaka














