Reportazh në nderim të Sinan Zenkut nga Simnica – Dëshmori i harruar i Frontit të Sremit

Flaka
Botuar nga Flaka 22 Korrik, 2025 23:17 Përditësuar

Reportazh në nderim të Sinan Zenkut nga Simnica – Dëshmori i harruar i Frontit të Sremit

Në një kohë kur Evropa po digjej nga flakët e Luftës së Dytë Botërore dhe territoret e ish-Jugosllavisë ishin shndërruar në fushëbeteja të përgjakshme mes forcave naziste dhe atyre partizane, mijëra shqiptarë u thirrën – shumica me detyrim – për të luftuar në emër të një lirie që nuk do ta shijonin kurrë. Ndër ta ishte edhe Sinan Zenku, një djalosh nga Simnica e Gostivarit, i cili, si shumë të tjerë, u nis drejt Frontit të Sremit, për të mos u kthyer më kurrë, shkruan Flaka. Historia shpaloset nga trashëgimtari i familjes, Nasfi Zenku.

Rrugëtimi pa kthim

Sinani ishte njëri nga rreth 23.500 shqiptarët e mobilizuar nga Kosova dhe Maqedonia për t’iu bashkuar Brigadave Antifashiste të Jugosllavisë. Ai la pas gruan, familjen dhe një jetë të re që sapo kishte nisur në fshatin e tij të vogël malor. U nis drejt një fronti që do të mbetej në histori si më i gjati, më i ashpri dhe më i përgjakshmi në gjithë Luftën e Dytë Botërore në Ballkan – Fronti i Sremit, i cili zgjati 175 ditë, nga 21 tetori 1944 deri më 12 prill 1945.

Mijëra shqiptarë, të rinj e pa përvojë luftarake, u gjendën përballë një armiku të egër – forcave gjermane të përqendruara në Koprivnicë, Shid, Vinkovc, Tovarnik, Sllavonska Pozhegë dhe deri në Zagreb. Ishte luftë ballë për ballë, shpesh në terren të hapur, nën zjarrin e rëndë të artilerisë dhe avionëve bombardues gjermanë.

Kujtimet që flasin – dëshmi e tmerrit

Njëri nga të mbijetuarit, Adem Ademi, i cili e kishte njohur Sinanin, rrëfen:
“Kur fillonin bombardimet, trupat e vdekur ngeleshin pezull në ajër nga fuqia e shpërthimit. Isha shenjëtar mitralozi, si shumë të tjerë shqiptarë. Ata që mbanin armë të rënda ishin të parët që vriteshin – Sinani ishte njëri prej tyre…”.

Pas tre vitesh pa asnjë lajm, familja e Sinanit u dorëzua para realitetit të hidhur: ai u shpall i vdekur. Trupi i tij kurrë nuk u gjet, as varri, as eshtrat – vetëm kujtimi. Në Simnicë, në mesin e maleve të Sharrit, në shtëpinë e Shazo Zenkut, babait të tij, mbeti vetëm një emër i gjallë në kujtime dhe një dhimbje e pashuar.

Tragjedi në heshtje – një histori e mohuar

Përveç humbjes fizike, dhimbja më e madhe mbetet heshtja historike. Fronti i Sremit, edhe pse u mbrojt e u çlirua në pjesë të mëdha nga shqiptarët, kurrë nuk u përmend si duhet në historinë zyrtare të Jugosllavisë. Kontributi i shqiptarëve u fshi, ndërsa në Kosovë u vendosën 40.000 ushtarë dhe oficerë serbë për të “konsoliduar” pushtetin e ri komunist.

Në të njëjtën kohë, ndodhi një tjetër tragjedi – Masakra e Tivarit, ku mijëra shqiptarë, të rekrutuar për frontin, u vranë barbarisht nga bashkëluftëtarët e tyre në rrugën nga Prizreni në Adriatik.

Një dëshmor, një popull, një heshtje

Sinan Zenku, ashtu si mijëra të tjerë, nuk kërkoi luftë, por i shkoi në besë thirrjes për çlirim dhe barazi. I vra nga një luftë që nuk ishte e tij dhe e mohuar nga një shtet për të cilin u flijua. Pas tij nuk mbeti pasardhës, por mbeti fjala, mbeti emri, dhe mbeti një borxh ndaj historisë për t’i kujtuar këta burra të rinj, që dhanë jetën për një ëndërr të tradhtuar.

Siç u potencua në hyrje, Sinani nuk pati mundësi të lë trashëgimtarë, pasi shumë pak kohë pas martesës, iku në luftë. Vëllai i vetëm i tij ishte Raif Zenku, paraardhësi i familjes Zenku nga Gostivari. Sot, Familja Zenku zë një vend të rëndësishëm në historinë e fshatit Simnicë dhe qytetit të Gostivarit, si një trung familjar që ka dhënë figura të shquara në shërbim të komunitetit dhe shtetit. Nga ky trung rrjedh Enver Zenku, kryetari i parë i Komunës së Gostivarit pas pluralizmit politik, si dhe personalitete të njohura të kohës sonë si gazetari Driton Zenku dhe aktivistja e shoqërisë civile Sebajete Zenku. Emrat e babait Shazo, dhe të djemve të tij Sinani dhe Raifi, janë ripërtërirë dhe mbartur me krenari ndër breza, duke ruajtur gjallë kujtimin dhe sakrificën e atyre që u flijuan për idealin e lirisë.

Çka thotë historia e shteteve të Ballkanit?

Historia e rajonit është e mbushur me ngjarje komplekse dhe interpretime të shumta, varësisht këndvështrimit politik dhe kombëtar. Më 13 nëntor 1944, një datë që njihet edhe nga burime ndërkombëtare dhe serbe, Ushtria Bullgare, tashmë nën komandën e Frontit të Atdheut pas përmbysjes së regjimit pro-nazist më 9 shtator 1944, luajti një rol aktiv në çlirimin e territoreve të Ballkanit nga okupatori gjerman.

Forcat bullgare përparuan përmes Maqedonisë Lindore, duke çliruar qytete si Koçani, Shtipi, Vinica dhe më tej Kumanova, duke u përplasur në beteja të ashpra me trupat gjermane, ndër to edhe ajo në Stracin, një pikë strategjike mes lindjes dhe qendrës së Maqedonisë. Më pas, pjesë të Ushtrisë së Tretë Bullgare morën pjesë në çlirimin e Shkupit, dhe përmes rrugës së Kaçanikut, avancuan në Kosovë, ku ndihmuan në spastrimin e trupave gjermane që po tërhiqeshin nga Ballkani.

Roli i ushtrisë bullgare nuk mbaron me çlirimin e Maqedonisë dhe Kosovës; ajo kontribuoi në luftimet në Serbi dhe në fund mori pjesë edhe në betejën e ashpër të Frontit të Sremit, përkrah forcave jugosllave dhe aleateve antifashiste. Ky kontribut, megjithatë, është interpretuar ndryshe në vende të ndryshme, dhe shpesh është injoruar ose minimizuar për shkak të tensioneve historike midis Bullgarisë dhe fqinjëve të saj në periudhën pasluftës.

E vërteta historike mbetet se ndryshimi i kursit të Bullgarisë pas shtatorit 1944, ndonëse i vonuar, shënoi një kthesë të rëndësishme në mposhtjen e nazizmit në Ballkan, dhe kjo pjesëmarrje në çlirimin e territoreve si Maqedonia, Kosova dhe Serbia, përfshirë edhe Frontin e Sremit, është një fakt historik i dokumentuar, i cili ka filluar të njihet më gjerësisht në literaturën bashkëkohore.

Në nderim të Sinan Zenkut nga Simnica e Gostivarit – dëshmor i Frontit të Sremit, dëshmitar i një të vërtete të heshtur dhe i një historie që pret drejtësi. Flaka

Flaka
Botuar nga Flaka 22 Korrik, 2025 23:17 Përditësuar
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Marrja e paautorizuar e teksteve dhe videove me të drejtë autoriale ose ndonjë përmbajtje të ngjashme pa pëlqimin paraprak me shkrim të Flaka Media do të konsiderohet shkelje e të drejtave autoriale dhe për këtë Flaka e ruan të drejtën të kërkojë kompensim përkatës monetar.Mosrespektimi dhe abuzimi i të drejtave autoriale dhe të drejtave simotër dënohet me ligj.Çdo marrje e paautorizuar, shfrytëzim, përdorim apo publikim i tekstit, fotografitë ose videot apo çfarëdo përmbajtje tjetër e ngjashme që paraqet pronësi të Flaka Media, pa pëlqim paraprak me shkrim nga redaksua, ndalohet rreptësisht dhe për të njëjtën paguhet kompensim përkatës financiar, për çka pronari ka të drejtë të nis procedurë përkatëse.Në rast të marrjes së teksteve autoriale dhe videove apo çfarëdo përmbajtje tjetër, në mënyrë të obligueshme nevojitet pëlqim paraprak nga Flaka Media dhe vendosje të linkut që do të çojë deri në web faqen e Flaka Media.