40-vjeçari shqiptar vret bashkëshorten në Greqi, arrestohet pas 30 orësh arrati
Pas një arratisjeje që zgjati mbi 30 orë, policia greke ka vënë në pranga Pandeli Nakolecin, 40 vjeç, i cili akuzohet për vrasjen e bashkëshortes së tij, Marjola Nakoleci, 36 vjeçe, në Volos.
Autori u gjet i fshehur në një parcelë me shkurre, vetëm 200 metra larg banesës së familjes. Arrestimi u krye rreth orës 16:00, pas një telefonate nga një banor që kishte parë një person të dyshimtë.
Sipas hetimeve, krimi ndodhi pas një konflikti mes çiftit, ku 40-vjeçari e goditi viktimën dy herë me thikë – një herë në qafë dhe një herë në shpinë. Pamjet e kamerave të sigurisë ndihmuan policinë të rindërtonte lëvizjet e tij dhe të zbulonte vendstrehimin.
Në momentin e arrestimit, ai nuk bëri rezistencë dhe deklaroi: “Më tradhtonte. Çfarë duhej të bëja ndryshe?”
Policia greke bën me dije se i dyshuari nuk kishte precedentë për dhunë në familje, por më herët ishte akuzuar për pjesëmarrje në organizatë kriminale dhe shkelje të ligjit për narkotikët. Në qershor 2025, ai ishte dërguar për ekzaminim psikiatrik dhe trajtim në një klinikë, me urdhër të prokurorisë.
Flaka
















