Sloganet zgjedhore: “Bashkë” i AKI-së për unitet – “Një Zë” i VLEN-it për të fshehur përçarjet
Koment i Redaksisë Flaka
Në politikën shqiptare të Maqedonisë së Veriut, sloganet gjithmonë kanë pasur një peshë më shumë se programet. Këtë herë, AKI dhe VLEN po konkurrojnë jo vetëm me kandidatët e tyre, por edhe me “shprehje magjike” që synojnë të mbushin boshllëkun e besueshmërisë.
AKI doli me “Bashkë”. Një fjalë e vogël, por e rëndë sa një mal. Kjo moto ka kuptim vetëm nëse shndërrohet në realitet politik – nëse “bashkë” nuk mbetet vetëm një fjali në poster, por bëhet frymë për të unifikuar shqiptarët e opozitës. Në të kundërt, do të kthehet në paradoks: një tjetër thirrje për bashkim që mbetet e varur në ajër.
Nga ana tjetër, VLEN e zgjodhi “Një zë”. Ironia qëndron pikërisht këtu: koalicioni që propagandon “një zë”, për javë të tëra është përmendur për përçarje, grindje dhe mungesë koherence të brendshme. Dhe kur një ish-lider i tyre, si Arben Taravari, flet për “kaos total” dhe paralajmëron shkatërrimin e VLEN-it pas zgjedhjeve, slogani tingëllon më shumë si tallje me opinionin sesa si ofertë serioze.
Në fund, qytetarët nuk i mashtrojnë dot posterët. Ata e dinë mirë se slogani më i bukur bie poshtë nëse mungon koherenca, bashkëpunimi dhe besueshmëria. Kjo është arsyeja pse “Bashkë” i AKI-së duket më realist sesa “Një zë” i VLEN-it. Sepse ndërsa i pari thotë atë që synon ta bëjë, i dyti e shpall atë që nuk arrin ta mbajë.
Në këtë fushatë, sloganet janë pasqyra e së vërtetës: disa reflektojnë aspirata, të tjerët ekspozojnë dobësi. Dhe opinioni shqiptar tashmë ka mësuar të lexojë përtej posterëve.














