Kurtit i tkurret ndikimi politik – Rënie për Vetëvendosjen: Zgjedhjet lokale tregojnë lodhjen e elektoratit
Sipas të dhënave preliminare nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, garën pa balotazh e fitoi në tri komuna Lëvizja Vetëvendosje. Ajo triumfoi në Podujevë, Kamenicë dhe Shtime.
Tri komuna pa balotazh i fitoi edhe Partia Demokratike e Kosovës. Fjala është për Ferizaj, Skënderaj, Hani i Elezit.
Lidhja Demokratike e Kosovës fitoi në dy komuna, në Lipjan e Istog.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e siguroi fitoren në Deçan, ndërsa Nisma në Malishevë.
Në Mamushë fitoi kandidati për kryetar i Partisë Demokratike Turke të Kosovës (KDKP), ndërsa Lista e Ramiz Lladrovcit siguroi fitoren në Drenas.
Lista Serbe fitoi në 9 komunat e banuara me shumicë serbe, ndërsa në Kllokot prin, por shkon në balotazh me Unitetin Kombëtar Serb.
Lëvizja Vetëvendosje do të garojë në balotazh në 12 komuna të tjera. Në dy prej tyre u rendit e para, më saktë në Gjilan dhe Fushë Kosovë.
Ndërsa në 10 komuna, kandidatët e LVV-së për kryetarë janë të dytët me vota. Balotazhin si të dytët VV-ja e ka siguruar në: Prizren, Gjakovë, Pejë, Prishtinë, Mitrovicë, Obiliq, Kaçanik, Rahovec, Viti, Vushtrri.
Në balotazh do të garojë në nëntë komuna Lidhja Demokratike e Kosovës. Në gjashtë komuna, ajo u radhit e para, siç është rasti me Prishtinën, Dragashin, Junikun, Obiliqin, Pejën dhe Vitinë.
Ndërsa në tri të tjera LDK-ja shkon si e dyta. Fjala është për Suharekën, Gjilanin dhe Fushë Kosovën.
Partia Demokratike e Kosovës do të garojë në balotazh në gjashtë komuna, prej të cilave në katër u radhit e para. Komunat ku PDK-ja shkon si e para në balotazh janë: Prizreni, Kaçaniku, Mitrovica dhe Vushtrria
Ndërsa në dy komuna, PDK-ja shkon si e dyta. Fjala është për Klinën dhe Dragashin.
Në pesë komuna do të garojë në balotazh Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ku në katër u radhit e para. E para, AAK-ja doli në Rahovec, Suharekë, Gjakovë dhe Klinë.
Ndërsa, në Junik është e dyta.
Lista Serbe ka fituar pa balotazh në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Zubin Potok, Leposaviq, Novobërdë, Shtërpcë, Graçanicë, Ranillug dhe Partesh. Kurse në Kllokot, shkon në balotazh.


















