Edon Zhegrova pritet të debutojë si titullar te Juventusi
Sulmuesi kosovar Edon Zhegrova është i vetmi lojtar ofensiv i Juventusit që ende nuk ka pasur mundësinë të nisë një ndeshje si titullar në sezonin 2025-26, nën drejtimin e Igor Tudor apo Luciano Spalletti. Përjashtim bën vetëm Arkadiusz Milik, i cili mungon prej më shumë se 545 ditësh për shkak të një dëmtimi afatgjatë.
Ndërsa të gjashtë sulmuesit e tjerë të “Zonjës së Vjetër” kanë marrë minuta si titullarë, Zhegrova ka mbetur jashtë formacionit për shkak të problemeve fizike. Dhimbjet në ijë e penguan gjatë verës dhe në fillimin e sezonit, duke ndikuar në vendimet e stafit teknik.
Tani që periudha më e vështirë ka kaluar, kosovari pritet të ketë shansin e parë për të debutuar si titullar në Serie A, në një moment kur sulmi i Juventusit renditet vetëm i pesti për nga golat e shënuar dhe ka nevojë urgjente për riorganizim.
Zhegrova mund të sjellë ndryshimin e dëshiruar jo vetëm me golat – të cilët nuk janë shumë të shumtë në karrierën e tij (42 gola në 213 ndeshje me klube) – por sidomos me asistet, teknikën dhe aftësinë për të krijuar superioritet numerik në fushë. Futja e tij në formacion mund të përforcojë ndjeshëm repartin ofensiv dhe të japë impulsin e nevojshëm për rezultate pozitive në pjesën e mbetur të sezonit.
Flaka
















