Si e njoha Shpat Kasapin – Kujtimi im për një djalë të artë që iku shumë herët

Flaka
Botuar nga Flaka 26 Nëntor, 2025 17:46

Si e njoha Shpat Kasapin – Kujtimi im për një djalë të artë që iku shumë herët

Shkruan: Driton Zenku

Lajmi për shuarjen e Shpat Kasapit më gjeti të shtangur dhe të pikëlluar. Nuk ishte thjesht lajmi për ikjen e një këngëtari të njohur të skenës sonë – ishte ikja e një njeriu që e pata njohur në rininë time, në një periudhë kur edhe unë vetë po kërkoja rrugën time në jetë.

E njoha Shpatin në vitet 2002–2003, atëherë kur ai ishte vetëm gjashtëmbëdhjetë–shtatëmbëdhjetë vjeç, sapo kishte shpërthyer në estradë dhe ishte bërë idhulli i të rinjve. Ishin muajt e verës, kur diskoteka e mirënjohur Golden Eye në Gostivar mbushej plot me të rinj, sidomos me djem e vajza nga diaspora që ktheheshin për pushime. Unë, atëherë student në UEJL, gjatë pushimeve verore punoja si kamarier në picerinë poshtë diskotekës. Dhe, rastësisht, aty kryqëzoheshin rrugët tona.

Shpati vinte pothuajse çdo muaj për të performuar në Golden Eye. Para dhe pas mbrëmjes ndalonte tek piceria – një vend ku mblidheshin këngëtarët dhe ekipi i tyre. Aty e njoha, fillimisht si kamarier që shërbente, e më pas si djalë i ri që kërkonte të mbante mend çdo buzëqeshje dhe çdo fjalë të njerëzve që takonte.

Ajo që më mbeti në mendje nga dita e parë ishte modestia e tij. Edhe kur fama i trokiste në derë, ai të përshëndeste me ngrohtësi, të fliste thjesht, të pyeste për emrin dhe pastaj ta thërriste vetë herën tjetër. Kishte atë lloj sjelljeje që e gjen vetëm te njerëzit e pastër, te njerëzit që nuk e mbajnë kokën lart sepse fama i ngre poshtë.

Pronari i diskotekës, Fadil Arsllani, më prezantonte shpesh si poet, sepse sapo kisha botuar librin tim të parë “Dielli në Natë”. Kjo la përshtypje te Shpati. Një ditë, me buzëqeshjen e tij karakteristike, më tha:
“A bën të më shkruash një tekst këngë?”

Ishte një çast që më gëzoi, por njëkohësisht më gjeti të papërgatitur. Nuk mund ta imagjinoja veten duke i shkruar tekst një këngëtari që e pëlqeja dhe që e ndiqja si gjithë të rinjtë e asaj kohe. Ia thashë me sinqeritet se nuk isha gati – dhe ai e pranoi me sportivitet, duke e kuptuar se përgjigjja ime vinte nga respekti e jo nga refuzimi.

Kështu kaluan shumë mbrëmje verore. Ai performonte, publiku e priste me orë të tëra, qindra të rinj mbushnin diskotekën për të dëgjuar këngët e tij, ndërsa unë e prisja në piceri, ku gjithmonë shkëmbenim disa fjalë. Ishte e pamundur të mos ta admiroje atë djalë energjik, të sjellshëm dhe plot dritë.

Më vonë, fati e solli që Shpati të bëhej dhëndër Gostivari. Qyteti ynë e pranoi si të vetin – ashtu si edhe ai na deshi si të tijtë. Por, rrugët tona nuk u kryqëzuan më pas atyre viteve të hershme të rinisë. Edhe pse nuk patëm ndonjë miqësi të ngushtë, kujtimet e asaj periudhe mbetën të ngulitura thellë te unë.

Sot, kur Shpati nuk është më mes nesh, më rikthehen të gjitha ato momente të thjeshta, por të çmuara: mënyra si përshëndeste fansat, si buzëqeshte, si i jepte energji publikut, si i bënte njerëzit të ndiheshin të rëndësishëm. Ai nuk e ndërtonte karrierën mbi distancë, por mbi afërsi. Jo mbi famë, por mbi vlerat njerëzore.

Shpat Kasapi u shua shumë herët. Por drita e tij nuk do të shuhet. Për mua mbetet ai djali 18-vjeçar që hynte në piceri, më jepte dorën me respekt, më thërriste “poet”, dhe më ftonte – me modesti e ëmbëlsi – të shkruaja një ditë një tekst për të.

Ndoshta nuk arrita t’i shkruaj tekst atëherë.

Por sot, këtë rreshtim kujtimesh, këtë ndjesi të thellë prekjeje njerëzore, ia shkruaj me gjithë nderimin e shpirtit.

Lamtumirë Shpat.
Qoftë i lehtë vendi ku prehesh.
Drita jote vazhdon të rrezatojë.

Flaka
Botuar nga Flaka 26 Nëntor, 2025 17:46
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Marrja e paautorizuar e teksteve dhe videove me të drejtë autoriale ose ndonjë përmbajtje të ngjashme pa pëlqimin paraprak me shkrim të Flaka Media do të konsiderohet shkelje e të drejtave autoriale dhe për këtë Flaka e ruan të drejtën të kërkojë kompensim përkatës monetar.Mosrespektimi dhe abuzimi i të drejtave autoriale dhe të drejtave simotër dënohet me ligj.Çdo marrje e paautorizuar, shfrytëzim, përdorim apo publikim i tekstit, fotografitë ose videot apo çfarëdo përmbajtje tjetër e ngjashme që paraqet pronësi të Flaka Media, pa pëlqim paraprak me shkrim nga redaksua, ndalohet rreptësisht dhe për të njëjtën paguhet kompensim përkatës financiar, për çka pronari ka të drejtë të nis procedurë përkatëse.Në rast të marrjes së teksteve autoriale dhe videove apo çfarëdo përmbajtje tjetër, në mënyrë të obligueshme nevojitet pëlqim paraprak nga Flaka Media dhe vendosje të linkut që do të çojë deri në web faqen e Flaka Media.