PDSH mirëpret grup të ri të rinjsh: “Rinia nuk pranon më të heshtë përballë pushtetit”
Partia Demokratike Shqiptare (PDSH) ka mirëpritur sot një grup të madh të rinjsh që janë anëtarësuar në parti, duke e cilësuar këtë si një mesazh të fortë politik dhe shoqëror për ndryshim.
Në njoftimin e partisë thuhet se ky hap vjen në një kohë kur “pushteti i sotëm ka krijuar më shumë arsye për t’u larguar sesa për të qëndruar”, duke theksuar se mijëra të rinj po braktisin vendin për shkak të mungesës së perspektivës, korrupsionit, premtimeve të pambajtura dhe arrogancës së qeverisë.
“Këta të rinj zgjodhën rrugën më të vështirë, por më të ndershme – të qëndrojnë dhe të angazhohen për ndryshim të këtij realiteti politik,” thekson PDSH në deklaratë.
“Rinia nuk pranon më të heshtë”
Sipas PDSH-së, anëtarësimi i të rinjve është një shenjë e qartë e pakënaqësisë së gjeneratës së re ndaj qeverisë aktuale.
“Anëtarësimi i tyre në PDSH është një mesazh i qartë: rinia nuk pranon më të heshtë përballë pushtetit që ka dështuar t’ju japë shpresë të rinjve,” thuhet më tej.
Partia thekson se rritja e vazhdueshme e interesimit të të rinjve për t’iu bashkuar PDSH-së dëshmon besimin e tyre në vizionin e kësaj partie.
Koordinatori Imer Aliu ndan kartelat e anëtarësimit
Në aktivitetin e sotëm, kartelat e anëtarësimit iu ndanë të rinjve nga koordinatori për organizimin e strukturave të PDSH-së, Imer Aliu, të cilin partia e cilëson si “një hallkë kyçe në fuqizimin e strukturave të reja”.
“Ndarja e kartelave të anëtarësimit nga z. Imer Aliu është një hap i rëndësishëm drejt fuqizimit të strukturave të PDSH-së dhe inkurajimit të angazhimit të gjeneratës së re në jetën politike,” thuhet në komunikatë.
Në fund, PDSH u shpreh mirënjohje të rinjve që u bashkuan sot radhëve të saj:
“Urime të rinjve që sot u bashkuan me Partinë Demokratike Shqiptare.”














