Davkova e dekoroi gjeneral-majorin amerikan Gregory Knight, me urdhrin për merita ushtarake
Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova sot, në një ceremoni solemne, dekoroi gjeneral-majorin Gregory Knight, komandant i Gardës Kombëtare të Vermontit, me urdhrin për merita ushtarake. Gjenerali Knight e merr këtë dekoratë të lartë të Maqedonisë për kontributin e tij të veçantë në bashkëpunimin ushtarak dhe në thellimin e miqësisë maqedono-amerikane.
Duke ia dorëzuar urdhrin, presidentja Siljanovska-Davkova theksoi se lidershipi dhe përkushtimi i gjeneral-majorit amerikan Knight kanë ndihmuar në krijimin e shumë gjeneratave të oficerëve, nënoficerëve dhe ushtarëve maqedonas të trajnuar në mënyrë të shkëlqyer.
“Garda Kombëtare e Vermontit prej tri dekadash i mbështet forcat ushtarake maqedonase, si partner i kualifikuar, i përvojshëm dhe i përkushtuar në stërvitje, por edhe si aleat i besueshëm në rrugën drejt paqes, stabilitetit dhe demokracisë. Kjo dekoratë shtetërore nuk është vetëm shprehje falënderimi për punën e tij të palodhshme e të vlefshme, por edhe respekt për vlerat që ai i përfaqëson: dinjitetin, integritetin, besueshmërinë, disiplinën, guximin, empatinë dhe moralin”, thuhet në njoftimin e presidencës.
Gjeneral-major Gregory Knight, në ceremoni theksoi se urdhri u takon mijëra ushtarëve të Gardës Kombëtare të Vermontit, të cilët kanë qenë të përfshirë në bashkëpunimin 35-vjeçar.
“Ky partneritet është pa dyshim pjesa më e rëndësishme e karrierës sime ushtarake prej gati 43 vjet e gjysmë. Në Maqedoni vij prej gati 25 vitesh — përvoja dhe udhëtimet kanë qenë të jashtëzakonshme. Miqësitë që kam krijuar këtu për mua janë vërtet të sinqerta dhe të thella”, theksoi gjeneral-major Knight.
Para ceremonisë, presidentja dhe gjenerali zhvilluan një takim në të cilin u pajtuan se mbështetja nga Vermonti ishte kyçe në përgatitjen e vendit për anëtarësim në NATO, duke përmbushur standardet e Aleancës dhe duke përmirësuar ndërveprueshmërinë me forcat e tjera të NATO-s.(portalb)
















