Çfarë duhet të bëjë Kosova më tepër për t’iu hequr masat e BE-së?

Flaka
Botuar nga Flaka 11 Dhjetor, 2025 22:42

Çfarë duhet të bëjë Kosova më tepër për t’iu hequr masat e BE-së?

Kur Bashkimi Evropian (BE) vendosi masa ndëshkuese ndaj Kosovës në verën e vitit 2023, si pasojë e tensioneve në veriun e banuar me shumicë serbe, ato u përshkruan si të përkohshme, ndërsa kushtet për heqjen e tyre qenë të qarta.

Zyrtarët në Kosovë ngulmojnë se kërkesat e BE-së për largimin e masave që e dëmtuan vendin në vlera milionëshe janë plotësuar: situata në veri është shtensionuar, prania e Policisë afër objekteve komunale në veri është zvogëluar, serbët kanë marrë pjesë në zgjedhjet e mbajtura sivjet, dhe kalimi paqësor i pushtetit në komunat me shumicë serbe është realizuar.

Por, ditëve të fundit u raportua në mediat e Kosovës, bazuar në burime brenda BE-së, se vende si Franca dhe Italia, të mbështetura nga Spanja, Hungaria dhe Sllovakia, nuk kanë vullnet për heqjen e sanksioneve.

Rikard Jozwiak, redaktor për Evropën i Radios Evropa e Lirë (REL), në Pragë, thotë se është e vërtetë që për çështjen e moslargimit të të gjitha masave kundër Kosovës është diskutuar në Bruksel këtë javë, dhe që Franca e Italia janë mbështetëse të idesë që të largohen vetëm 50 për qind e tyre.

Sipas tij, Parisi insiston në këtë qëndrim meqë kërkon që Beogradi t’i hapë kapitujt për anëtarësim në BE, dhe është i zemëruar pse të tjerët po e bllokojnë procesin.

“Ekziston edhe një argument i përgjithshëm se Brukseli nuk mund t’ia japë këtë ‘dhuratë’ [kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin] Kurti para zgjedhjeve të 28 dhjetorit. Nëse ky është një argument i vlefshëm apo jo, është vënë në pikëpyetje nga të tjerët, pasi partia kryesore e opozitës [Partia Demokratike e Kosovës] i dërgoi një letër [shefes së BE-së, Ursula] Von der Leyen së voni, duke kërkuar heqjen e plotë [të masave] menjëherë. Pra, nuk perceptohet si dhuratë për Kurtin nga askush, përveç një numri të vogël shtetesh të BE-së”, thotë Jozwiak.

Një zëdhënëse e Bashkimit Evropian i tha REL-it se blloku evropian synon vazhdimin e heqjes së masave, proces që ka nisur pjesërisht në maj të këtij viti.

Sipas saj, Brukseli është i gatshëm të punojë me autoritetet e Kosovës, sapo të zgjidhen ato, dhe blloku pret nga Kosova të rikthehet në rrugën e reformave të nevojshme që lidhen me BE-në.

Por, për Qeverinë në detyrë të Kosovës, zgjedhjet e parakohshme parlamentare nuk kanë asnjë lidhje me masat.

“Çdo zvarritje tjetër vetëm sa e thellon absurditetin e masave, dhe e cenon kredibilitetin e BE-së. Qëndrimi ynë është që masat duhet të hiqen menjëherë dhe plotësisht”, thotë Klisman Kadiu, këshilltar për media i zëvendëskryeministrit në detyrë, Besnik Bislimi, në disa përgjigje me shkrim për REL-in.

Edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, u shpreh, në një takim këtë javë me raportuesin për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras, se vazhdimi i masave ndëshkuese mbetet “i pashpjegueshëm, i padrejtë dhe i paarsyeshëm”.

Terras, po ashtu, tha se masat duhet hequr menjëherë.

A mund të bënte Kosova më shumë?

Duke e përshkruar vazhdimin e masave të BE-së si absurditet total, Besar Gërgi nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) thotë se Kosova ka humbur shumë kohë këtë vit, në mungesë të institucioneve të reja, dhe se do të mund të punonte më shumë për heqjen e masave.

Gërgi beson që formimi i institucioneve të reja është parakusht për heqjen e masave, ndërsa komunikimi me palët që hezitojnë duhet të jetë prioritet. Sipas tij, politika, sidomos në ditët e sotme, nuk bëhet në bazë të konsideratave morale, por bëhet vetëm për interesa politike.

“Qeveria e re duhet të punojë aktivisht me aleatët, gjatë këtij viti nuk ka pasur shumë komunikim fatkeqësisht, fokusi ka qenë në krijimin e numrave, dhe kjo ka krijuar ngecje në politikën e jashtme të Kosovës. Prandaj, nëse flasim për një Qeveri funksionale, ky është minimumi jetik”, thotë ai për REL-in, duke përmendur edhe nevojën e miratimit të marrëveshjeve me BE-në, siç është Plani i Rritjes, në momentin e parë të mundshëm.

Sipas tij, koha është humbur edhe duke mos u marrë me aspektin teknik të integrimit evropian. Kosova ka aplikuar për anëtarësim në BE më 2022, por kërkesa e saj nuk është shqyrtuar kurrë, duke e lënë vendin të vetmin në Ballkanin Perëndimor pa statusin e kandidatit për anëtarësim në bllok.

Gërgi beson se, përveç mungesës së komunikimit, në rritjen e shkallës së hezitimit te disa vende ka ndikuar edhe votimi në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kundër pjesëmarrjes së Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, në garën parlamentare.

Sa është dëmtuar Kosova nga masat?

Sipas një analize të Institutit për Studime të Avancuara – GAP, masat e BE-së i kanë kushtuar Kosovës rreth 613.4 milionë euro në projekte të pezulluara ose të shtyra për afat të pacaktuar. Për shkak të kalimit të afateve, 7.1 milionë euro janë humbur tërësisht.

Sektorët më të prekur përfshijnë mjedisin, me 350 milionë euro, energjinë me 114 milionë euro, digjitalizimin me rreth 57 milionë euro, dhe kulturën me 15 milionë euro.

Prej këtyre fondeve, rreth 218 milionë euro kanë qenë për projekte në kuadër të Instrumentit para-anëtarësimit (IPA II dhe IPA III), dhe rreth 395 milionë euro për projekte në kuadër të Kornizës për Investime të Bashkimit Evropian për rajonin e Ballkanit Perëndimor (WBIF).

Flaka
Botuar nga Flaka 11 Dhjetor, 2025 22:42
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Marrja e paautorizuar e teksteve dhe videove me të drejtë autoriale ose ndonjë përmbajtje të ngjashme pa pëlqimin paraprak me shkrim të Flaka Media do të konsiderohet shkelje e të drejtave autoriale dhe për këtë Flaka e ruan të drejtën të kërkojë kompensim përkatës monetar.Mosrespektimi dhe abuzimi i të drejtave autoriale dhe të drejtave simotër dënohet me ligj.Çdo marrje e paautorizuar, shfrytëzim, përdorim apo publikim i tekstit, fotografitë ose videot apo çfarëdo përmbajtje tjetër e ngjashme që paraqet pronësi të Flaka Media, pa pëlqim paraprak me shkrim nga redaksua, ndalohet rreptësisht dhe për të njëjtën paguhet kompensim përkatës financiar, për çka pronari ka të drejtë të nis procedurë përkatëse.Në rast të marrjes së teksteve autoriale dhe videove apo çfarëdo përmbajtje tjetër, në mënyrë të obligueshme nevojitet pëlqim paraprak nga Flaka Media dhe vendosje të linkut që do të çojë deri në web faqen e Flaka Media.