Dekadat e manipulimit në libra: Shkolla që edukon paragjykim, jo qytetari
Opinion nga Driton Zenku
Librat shkollore – Shqiptarët nuk kërkojnë privilegje – kërkojnë të vërtetën
Kur shikojmë gabimet në librat shkollorë, nga enciklopedia famëkeqe e MANU-s, tek gjeografia e fundit për klasën e shtatë, historitë e deformuara, hartat e manipuluara, abetaret dhe tekstet e gjuhës maqedonase, bëhet e qartë: këto nuk janë vetëm gabime të rastit.
Rasti i Kosovës si “Kosova dhe Metohia” nuk është gabim teknik;
Përshkrimet diskriminuese të shqiptarëve si “problem social” nuk janë aksidentale;
Shfaqja e shqiptarëve si ardhacakë në historinë e shekujve nuk mund të ndodhë pa qëllim;
Zhdukja e figurave shqiptare nga abetaret dhe tekstet e lëndëve të tjera nuk është rastësi.
Këto janë gabime të qëllimshme të riprodhuara nga akademikë, profesorë dhe institucione arsimore maqedonase, shpesh pjesë e komisioneve që hartojnë kurrikulat dhe recensojnë librat. Ky nuk është thjesht një gabim i individit; është një model i qëndrueshëm institucional, një rrjet ndikimi që përsërit të njëjtat deformime në libra të ndryshëm, për vite me rradhë.
ndikimi mbi fëmijët dhe shoqërinë
Gabimet e vazhdueshme në libra nuk janë vetëm gabime akademike. Ato:
edukojnë breza fëmijësh me paragjykime etnike,
përforcojnë stereotipe negative dhe ndarje sociale,
reduktojnë njohjen e identitetit dhe historisë së shqiptarëve,
krijojnë një narrativë ku shqiptarët nuk janë pjesë e vendit që ata jetojnë.
Një fëmijë që hap librin dhe sheh identitetin e tij të zhdukur ose paraqitur si problem social mëson urrejtje, inferioritet dhe pasivitet, jo historinë dhe qytetarinë. Ky është dëm që zgjat për dekada dhe që është i vështirë për t’u korrigjuar.
përgjegjësia e akademikëve dhe institucioneve
Në këtë kontekst, nuk mund të flitet më për “gabime të rastit”. Përgjegjësia është akademike dhe institucionale:
autorët e librave duhet të jenë të vetëdijshëm për ndikimin e përmbajtjes,
recensentët dhe komisionet e kurrikulave nuk mund të kalojnë sitën e librave me deformime,
institucionet shtetërore duhet të mbajnë përgjegjësi për aprovimin dhe përdorimin e librave me fyerje ose deformime historike.
Ky është problem politik dhe ideologjik, jo teknik. Ai prek identitetin dhe dinjitetin e një komuniteti të tërë dhe krijon breza me paragjykime të brendshme që do të ndikojnë në marrëdhëniet etnike për shumë vite.
zgjidhjet e domosdoshme
Për të ndaluar këtë cikël, duhet vepruar menjëherë:
Rishikim i plotë i librave problematikë – tërheqje e çdo teksti që fyen, deformon ose minimizon shqiptarët.
Komisione multietnike dhe profesionale – historianë, gjeografë, gjuhëtarë dhe pedagogë shqiptarë dhe ndërkombëtarë.
Përgjegjësi ligjore dhe profesionale – autorët dhe recensentët e librave duhet të mbajnë përgjegjësi, dhe institucionet duhet të vendosin mekanizma monitorimi.
Reforma dhe trajnimi i mësuesve – mësuesit duhet të trajnohen për qasje multietnike dhe objektive.
Transparencë dhe pjesëmarrje qytetare – publikimi i librave, listave të aprovuar dhe mundësia për reagim qytetar.
Vetëm duke ndjekur këto hapa mund të ndërtohet një sistem arsimor i drejtë, ku fëmijët shqiptarë nuk ndihen më të huaj në vendin e tyre dhe ku çdo komunitet respektohet dhe përfaqësohet korrekt në tekstet shkollore.
përfundim
Gabimet në librat shkollorë të Maqedonisë së Veriut nuk janë rastësi. Ato janë rezultat i një sistemi që riprodhon paragjykime, përmes akademikëve, profesorëve dhe institucioneve shtetërore.
Ndryshimi kërkon vendosmëri, transparencë dhe reformë të thellë. Fëmijët e këtij vendi meritojnë të vërtetën, jo urrejtjen, histori të plotë, jo falsifikime, dhe një arsim që i integron, jo i përjashton. Vetëm kështu mund të ndërtohet një shoqëri e drejtë, paqësore dhe europiane.
Vijon ditën e premte…
















